Sport

Lufta spostohet në pedanë. Zënkë mes sportistes ukrainase dhe ruse, më pas skualifikimi

Gazeta Si – Vazhdojnë përplasjet mes sportistëve ukrainas dhe atyre rus, për shkak të luftës. Kampionia Olga Kharlan, me origjinë ukrainase, mundi 15-7 rusen Ana Smirnova në skermë, në Botëror. Më pas ajo nuk deshi t’i jepte dorën kundërshtares.

Sportistja ruse u afrua për përshëndetjen e rastit, por ukrainasja, duke qenë se protokolli ia lejon, vetëm i drejtoi shpatën, duke ruajtur distancën. Një përshëndetje që u quajt e rregullt nga arbitri, i cili nuk e ndëshkoi.

Smirnova në anën tjetër nuk e priti mirë atë gjest dhe qëndroi në pedanë për 45 minuta, e ulur në një karrige, sikur ta donte me çdo kusht atë shtrëngim duarsh të munguar. Ishte një shenjë proteste dhe u desh ndërhyrja e një delegati për t’i dhënë fund ‘grevës’ së sportistes.

Surpriza erdhi dy orë më pas, kur FIE komunikoi skualifikimin e ukrainases Kharlan nga tabela individuale, pasi e vlerësoi antisportive sjelljen e saj. Tani pritet një skualifikim i gjithë skuadrës ukrainase, sepse sipas rregullores një skuadër nuk mund të regjistrohet në tabelë në rast skualifikimi të një pjesëtari të saj.

Kharlan nuk e ka pranuar vendimin e FIE, duke deklaruar: “Jam skualifikuar nga një arbitër që nuk ishte në fushë, që ma ka komunikuar jashtë pedanës, kurse arbitri ynë e kishte quajtur të rregull përshëndetjen. Nuk dua që shoqet e mia të penalizohen”.

Rusja Smirnova proteston per shtrengimin e munguar te duarve. Gazeta Si, 28 korrik 2023

Janë edhe më të rënda fjalët e presidentit të federatës ukrainase të skermës: “Vajzat tona janë shortuar kundër dy sportisteve ruse, nuk është një koninçidencë. Do ta analizojmë me kujdes ngjarjen”.

Nuk kanë munguar lotët dhe zemërimi i sportistes së skualifikuar. “Ky vendim më ka shkatërruar jetën, këto janë vitet e mia të fundit në botën e skermës. Doja ta mbyllja sa më bukur, ëndërroja kualifikimin në Paris, por kjo zgjidhje e çmendur rrezikon të ndryshojë gjithë planet e mia dhe të më shkatërrojë të ardhmen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë