Nga Luljeta Nelallari – 8 vite pas botimit të parë, historiani Paskal Milo është thelluar në ngjarje, fakte dhe dokumente dhe vjen me librin “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”.
Milo ka bërë përpjekje që ashtu si në vëllimin e parë, edhe në këtë të dytin të shkruhet një histori sa më afër së vërtetës, edhe pse bëhet fjalë për një nga segmentet më të debatueshme, vitet 1943-1944.
Historiani Paskal Milo shprehet për Gazetasi.al se vëllimi i dytë sjell ngjarjet që kishin mbetur enigmë në atë periudhë kohore, si për mungesë të dokumenteve dhe fakteve, ashtu edhe për mungesë të vullnetit për t’u shkuar gjërave deri në fund.
“Libri ka të reja, të pathëna dhe sqaron mjaft ngjarje dhe histori që i kanë penalizuar palët politike shqiptare gjatë Luftës. Ka ngjarje nga historia e brendshme e dy organizatave kryesore politiko-ushtarake kryesore, PKSH-LNÇ e Balli Kombëtar, për marrëdhëniet mes tyre e me pushtuesit gjermanë, për drejtuesit e tyre e për figura të tjera historike, për qëndrimet ndaj misioneve të huaja aleate që erdhën në Shqipëri, si dhe për marrëdhëniet me Fuqitë Aleate të Kombeve të Bashkuara”, shprehet Milo për Gazetasi.al.
E gjithë vepra përshkon konfliktin mes dy forcave për pushtet. Por, sipas tij, lufta për pushtet vjen duke u mbështetur në fakte dhe duke qëndruar larg mendësive folklorike.
“Konflikti mes Ballit Kombëtar e Partisë Komuniste Shqiptare trajtohet në dinamikën e tij me idenë për të hequr mbishtresat që janë vendosur në të shkuarën komuniste, por edhe pas përmbysjes së regjimit komunist, për të paraqitur një histori sa më realiste dhe sa më afër të vërtetës, gjithnjë duke u mbështetur dhe interpretuar dokumente dhe vetëm dokumente të pakontestueshme. Libri nuk u ka dhënë strehë historive folklorike që kanë qarkulluar e qarkullojnë ende për fat të keq në historiografinë që pretendon të jetë serioze dhe aq më keq nga historishkrues të indoktrinuar që nuk kanë asgjë të përbashkët me historinë si shkencë dhe që ora e tyre ka mbetur në barrikadat e vjetra e të akuzave të ndërsjella”, vijon më tej ai për Gazetasi.al.
Milo thotë se thelbi i konfliktit midis PKSH e Ballit Kombëtar ka qenë lufta për pushtet, kush do ta qeveriste Shqipërinë pas largimit të pushtuesve gjermanë.
“Vetëm pas tetorit 1943 ato kaluan në një armiqësi që erdhi në rritje deri në synimin për të asgjësuar plotësisht njëri-tjetrin. Shkaku ishte jo vetëm lufta për pushtet, por edhe mënyra se si e kërkonin ardhjen në pushtet. Këtu ndodhi ndarja e madhe dhe e pakthyeshme. PKSH e kërkoi duke luftuar pushtuesit gjermanë dhe ky ishte armiku kryesor i saj. Balli Kombëtar e kërkoi pushtetin në fillim duke u përpjekur të qëndrojë në pritje e pa luftuar por që shumë shpejt u fut në rrugën e bashkëpunimit me gjermanët”, shprehet Milo.
Në libër janë të përfshira edhe tri letrat e Enver Hoxhës drejtuar komitetit të qarkoreve komuniste, të cilat dëshmojnë se PKSH ishte nismëtarja e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar, që siç duket nuk do kalojnë pa debate. Milo thotë se Hoxha e ka pranuar me gojën e tij përgjegjësinë e këtyre letrave dhe dëmet që sollën dhe lidhur me këtë çështje ngre pyetjen: ‘Kush ka të drejtë? Enver Hoxha që e ka deklaruar e pohuar vetë apo tellallët’?
“Të gjithë ata njerëz që kanë lexuar tri letrat e Enver Hoxhës të 1 tetorit 1943 e kuptojnë menjëherë përmbajtjen e këtyre letrave dhe arsyet përse u shkruan ato. Nuk ishin të rastit, por rrjedhim logjik i pozicionit që mori PKSH pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, thellim i tezave që u përpunuan dhe u miratuan në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm NacionalÇlirimtar në Labinot në 4-9 shtator 1943. Enver Hoxha mbi një vit më vonë, në pleniumin e dytë të KQ të PKSH në Berat, 23-27 nëntor 1944 e ka pranuar me gojën e tij përgjegjësinë për këto letra dhe dëmet që ato sollën”, sqaron ai për Gazetasi.al.
Ndër të tjera, ai thotë se “Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, ashtu siç kanë merita për kohën e Luftës, e përsëris për vitet e Luftës, ashtu edhe kanë bërë gabime të vogla e të mëdha e në raste të veçanta edhe krime”.
Sa u takon debateve kundër që mund të vijnë rreth të vërtetave dhe dokumenteve që ka sjellë, ai thotë se ata ndihmojnë në shkallën e reflektimit për të rishkruar historinë.
“Ka njerëz që janë në të drejtën e tyre të shprehin opinionet e tyre siç i mendojnë, të shprehin mendime që në opinionin tim janë të paragjykuara. Përsëri prej tyre ka dobi, sepse bëhet edhe dallimi në cilësinë e oponencës e në shkallën e reflektimit për të rishkruar historinë, jo më mbi bazën e dogmave, por të moralit e parimeve të shëndetshme historiografike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.