Mendim

Lufta në Siri mbaroi por Amerika humbi

Kryengritja siriane erdhi në një kohë kaotike për Lindjen e Mesme, ku të gjithë duket se po luftonin për liri. Rebelët sirianë u ngritën pak pas rënies së udhëheqësve të vjetër të Tunizisë dhe Egjiptit. Por kalimi nga kryengritja në një luftë të përgjakshme civile duket se errësoi gjykimin e diplomatëve, analistëve dhe gazetarëve. Askush nuk priste që diktatori sirian, Bashar al Assad të rezistonte për shumë kohë, por milicitë e ndryshme brenda Sirisë, xhihadistët dhe autoritetet rajonale, të ndërthurura me ndërhyrjen e Rusisë, bënë që situata të dilte jashtë kontrollit. Uashingtoni dënoi gjakderdhjen, u dërgoi ndihma refugjatëve dhe bombardoi Shtetin Islamik, por ndryshe nga Rusia, qëndroi jashtë luftës civile të Sirisë.

Shumë nga analistët që preferonin se SHBA-ja duhet të qëndronte jashtë konfliktit ose të minimizonte rolin e saj në Siri, u bazuan tek pushtimi i Irakut në vitin 2003, duke argumentuar se ai destabilizoi rajonin, fuqizoi Iranin, dëmtoi marrëdhëniet me aleatët e Uashingtonit dhe ushqeu dhunën ekstremiste duke minuar pozicionin e SHBA në rajon. Por, edhe pse mund të duket e paimagjinueshme, mosndërhyrja e SHBA-së në Siri ka bërë të njëjtën gjë: kontribuoi në paqëndrueshmërinë rajonale, fuqizoi Iranin, prishi marrëdhëniet me miqtë rajonal dhe nxiti fuqizimin e grupeve terroriste. Vendimi për të qëndruar larg konfliktit mund të ketë qenë një politikë e mirë, por erdhi me një kosto të madhe për pozitën e Uashingtonit në Lindjen e Mesme. Mosndërhyrja në luftën civile sirianne, u pa si një sinjal se SHBA-ja kishte hequr dorë nga ndikimi i saj në Linjen e Mesme. Në mungesë të Uashingtonit, Moska arriti të fuqizonte rolin e saj si një partner më i mirë dhe më kompetent për vendet e rajonit.

Egjiptianët, sauditët apo izraelitët mund të mos e pëlqejnë Asadin, por reagimi i menjëhershëm i Rusisë për të parandaluar rënien e diktatorit sirian dhe përpjekjet e saj për ta çuar me çdo kusht drejt fitores, nuk kaluan pa iu rënë në sy. Siria është tanimë mjeti kryesor i Rusisë për ta paraqitur veten si fuqi globale. Tanimë ndikimi i Putin në Lindjen e Mesme shtrihet nga Damasku, në Kurdistan në Iran dhe përfundon në Egjipt dhe  Libi .

Izraeli, Turqia dhe shtetet e Gjirit vazhdojnë të jenë të fokusuara tek Uashingtoni si partneri më   i madh strategjgik, por nga ana tjetër kanë filluar gjithashtu të afrohen hap pas hapi me Kremlinin. Kryeministri izraelit është rreshtuar disa herë në anën e Putinit, ndërkohë që Presidenti turk dhe ai iranian kanë mbështetur vazhdimisht strategjinë e Rusisë në Siri. Mbreti Salman u bë monarku i parë saudit që vizitonte Moskën dhe ka sinjalizuar disa herë se rusët duhet të jenë "në tavolinë" sa herë që mbahen diskutime me rëndësi rajonale.

Epoka kur Shtetet e Bashkuara përcaktonin rregullat e lojës në Lindjen e Mesme zgjati 25 vjet, por tanimë ka përfunduar. Situata në Siri zbuloi ambivalencën e thellë të amerikanëve drejt Lindjes së Mesme dhe rënien e rëndësisë së faktorëve kyç që kanë përcaaktuar interesat e SHBA-së në rajon, duke filluar nga nafta dhe duke përfunduar me Izraelin. Pas dy luftërave të papërfunduara brenda 17 vjetësh, askush nuk mund t'u ofrojë amerikanëve një arsye bindëse pse regjimi i Asadit është problemi i tyre. Izraeli mbetet githashtu një problem, por pas 70 vjetësh ka dëshmuar se mund të merret me veten. Tani për tani ajo që ka fituar është aleanca Assad-Putin, duke u dhënë një mundësi amerikanëve të ripërcaktojnë përparësitë e tyre në Lindjen e Mesme dhe pse. Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë, pasi qasja e administratës së Trump në rajon është përcaktuar nga vendimet impulsive të Presidentit amerikan.

Fillimisht Trump vazhdoi politikat e kohës së Obamës për të luftuar grupet ekstremiste, por ndërroi papritur pozicion dhe imponioi vendosjen e Ambasadës Amerikane në Izrael në Jeruzalem. Trump shkeli marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe ka sinjalizuar se dëshiron të largoje trupat nga Siria sa më parë të jetë e mundur, edhe pse këshilltari i tij i sigurisë kombëtare është zotuar të qëndrojë për aq kohë sa Irani mbetet ende prezent. Në këto rrethana, Rusia dhe Irani do të vazhdojnë të fitojnë, ndërkohë që ndikimi amerikan në rajon do të vazhdojë të zbehet dita-ditës, duke u ofruar fitoren diktatorëve si Bashar al Assad./Foreing Policy"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë