Rend dhe Ligj

Lufta ndaj kanabisit, Çuçi mbledh drejtuesit e policisë të Lezhës, Shkodrës e Kukësit

Gazeta Si – Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e policisë të qarqeve të Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit. Në takimin që ai bëri në qytetin e Lezhës dhe që kishte në fokus luftën kundër kanabisit, merrte pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ministri Çuçi kërkoi që të rritet forca goditëse kundër kultivimit të kanabisit: “Jemi në stinën e mbjelljes, ndaj vëmendja e Policisë së Shtetit, nga inspektorët në terren dhe deri tek drejtuesit më të lartë, duhet të jetë maksimale. Përveç monitorimit të përvitshëm që bëjmë nga ajri, do të kemi shumë shpejt edhe pamjet e shërbimint satelitor për një kontroll të më plotë të territorit”, – theksoi ai.

Nga takimi i ministrit Çuçi me drejtuesit e policise se Lezhes, Shkodres dhe Kukesit. Gazeta Si, 20 prill 2022

Ministri i Brendshëm kërkoi komunikim të vazhdueshëm nga strukturat drejtuese të policisë me kryetarët e fshatrave, por edhe vëmendje për format alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

“Nuk duhet të keqkuptohet nga askush synimi ynë për legalizim të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore. Ky do të jetë një aktivitet i rregulluar me ligj të veçantë dhe i kontrolluar rreptësisht përmes kompanive që do licencohen. Çdo formë tjetër e kultivimit të kanabisit është aktivitet i paligjshëm dhe do ketë zero tolerance.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka detyrimin ligjor dhe mbështetjen time e të qeverisë për t’i prerë rrugën çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që nuk vepron, apo që implikohet në këtë aktivitet kriminal”, – shtoi më tej Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë