Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha deklaroi se do të mbështesë të gjithë kandidatët që kërkojnë rinumërim të votave.
Megjithatë, në një konferencë për shtyp, ai refuzoi të komentonte gjetjet e deritanishme nga hapja e disa kutive, ku rezulton se disa kandidatë kanë marrë votat e disa kandidatëve të tjerë brenda listës së opozitës.
Berisha tha se kandidatët do të mbështeten në kërkesën e tyre për transparencë, por kjo nuk do të thotë se partia ndan bindjen se ka dyshime për vjedhje votash.
Sipas tij transparenca është e drejtë e pakundërshtueshme e çdo individi.
“Në këtë kuadër PD nuk pengon asnjë kandidat të saj që kërkon transparencën. Madje do t’i mbështesë meqenëse ligji nuk i përligj kandidatët dhe duhet mbështetja e partisë në këtë proces, secili kërkon që transparencën do të mbështetet pa asnjë paragjykim.
Mendoj se as unë as ju nuk mund të flasim për vjedhje për gjëra të paprovuara. Ata që dyshojnë se u janë devijuar votat, ata i mbështesim për transparencë. Por kjo nuk vjen se partia ndan dyshimin e tyre, por vjen sepse partia plotëson të drejtën për transparencë”, tha ai.
Rinumërimi i disa kutive deri tani ka zbuluar se Xhemal Gjunkshit në Dibër i mungonin 17 vota, ndërkohë që Përparim Spahiut i ishin shtuar 49 vota.
Ndërkohë pretendime për trafikim votash kanë edhe Aulon Kalaja në Durrës dhe Ilir Alimehmeti në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.