Drejtësia

Lufta kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, Dumani takon në Holandë kryeprokurorin John Lucas

Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani u takuaa këtë të enjte me kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorit Kombëtar të Holandës, John Lucas gjatë një vizite në Holandë.

Ka qenë ambasada holandeze në Tiranë, ajo që ka zbardhur detaje nga takimi, ku në fokus të diskutimeve ka qenë lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave. 

Sipas njoftimit në Fb, Dumani ndodhet në Holandë në kuadër të një konference që po zhvillohet atje, ku marrin pjesë prokurorë nga Europa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore.

“Trafiku i organizuar i drogës dhe pastrimi i paligjshëm i parave nuk ndalen në kufij dhe as qasja e Holandës për të luftuar këto çështje”.

Nga data 25 deri më 28 mars, Holanda po pret një konferencë të rëndësishme ku marrin pjesë prokuroritë kryesore nga Evropa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, së bashku me aktorë të tjerë.

Aktiviteti u hap nga Ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë i Holandës, David van Weel.

“Konferenca synon të forcojë dhe koordinojë përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar serioz dhe të ndajë perspektivat e përbashkëta”, – thuhet në njoftim.

Prej kohësh SPAK ka rritur bashkëpunimin me vendet e Ulëta në luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ku grupet kriminale shqiptare menaxhojnë transportin e kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Në nëntor të vitit të shkuar, Dumani ka pritur në Tiranë drejtuesen e Prokurorisë Federale të Belgjikës, Ann Fransen, ku diskutuan mbi angazhimin e përbashkët për të ngritur në nivele më të larta bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar.

Falë bashkëpunimit me drejtësinë belge, SPAK ka në duar dhe nën hetim me dhjetëra dosje, ku të përfshirë janë shtetas shqiptarë të lidhur kryesisht me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Më herët, drejtësia belge dhe ajo franceze, kanë vendosur në dispozicion të SPAK të dhëna nga aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat”, ku në Shqipëri janë arrestuar edhe deputetë, prokurorë apo shefa policie të lidhur me grupet kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë