Gazeta Si - Lufta kundër krimit të organizuar ka qenë në qendër të një takimi në Tiranë mes kreut të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe përfaqësuesve të DEA-s amerikane me qendër në Athinë.
Atasheu i DEA-s, John Livanis, i cili u shoqërua në këtë takim nga Atasheu i ICITAP-it Richard Deasy, uroi Ilir Prodën për detyrën e re, si dhe çmoi bashkëpunimin e deritanishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjithashtu, Livanis shprehu gatishmërinë e strukturave të DEA-s, për ta forcuar bashkëpunimin me Policinë Shqiptare në luftën kundër fenomeneve kriminale.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, shprehu mirënjohjen për kontributin e DEA-s në operacionet policore ndërkombëtare që kanë patur objektiv shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Proda garantoi atashetë se te Policia e Shtetit do të gjejnë angazhim, profesionalizëm dhe besueshmëri për çdo iniciativë që do të ndërmerret në të ardhmen kundër krimit të organizuar.
Prej disa muajsh, zyra e DEA-s në Shqipëri fuknksionon si një lidhje e zyrës qendrore në Athinë. Pjesëtarë të DEA-s do të jenë bashkë me policinë shqiptare në kontrolle kufitare si porte aeroporte e pika tokësore.
Filiali i DEA-s, ka në fokus luftën ndaj trafikut të drograve, kryesisht kokainën, e cila vjen nga Amerika Latine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.