Lajme

Lufta kundër krimit, Arta Marku pret zyrtarin e ‘Eurojust’

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka takuar zëvendëspresidentin e Eurojust, Filippo Spiezia.
Në fokus të diskutimeve ka qenë bashkëpunimi i ardhshëm gjyqësor me shtetet anëtare të BE. Marku e ka njohur zëvendëspresidentin e Eurojust, Filippo Spiezia me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe gjendjen aktuale të saj nën dritën e reformës për drejtësi.
Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i Eurojust ka vlerësuar bashkëpunimin me drejtësinë shqiptare, i cili është reflektuar në rritjen e çështjeve dhe përmirësimin e aftësive operacionale ndërmjet vendeve të BE.
Ai i ka kërkuar Markut të vazhdojë përpjekjet e saj për funksionimin e marrëveshjes deri në dhjetor 2019.
Ky takim i organizuar nga PAMECA vjen pas marrëveshjes së nënshkruar më 5 tetor 2018 me Eurojust, për përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor, për lehtësimin dhe bashkërendimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale ndërmjet Shqipërisë dhe një apo më shumë shteteve anëtare të BE-së për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë