Gazeta Si – Shkodra është qarku me riskun më të lartë në vend sa i takon kultivimit të lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, bëri bilancin vjetor gjatë konferencës së përbashkët me drejtues të Ministrisë së Brendshme të Italisë dhe Guardia di Finanza-n.
Sipas tij, gjatë 10-mujorit të parë të vitit 2025, janë evidentuar dhe asgjësuar 203 mijë e 960 bimë kanabisi, nga të cilat 106 mijë e 894 përmes monitorimit ajror dhe 97 mijë 066 nga kontrollet tokësore.
Ai theksoi se qarku i Shkodrës mbetet zona me risk më të lartë: “Nga analiza e bërë, dhe këtë vit qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 mijë e 591 bimë të asgjësuara”.
Proda nënvizoi se janë identifikuar dhe shkatërruar 10 ambiente të përshtatura për kultivim me llamba, si dhe 3 të tjera në tentativë.
“Për këto raste, 31 persona janë arrestuar ose proceduar, përfshirë edhe punonjës të OSHEE-së, të akuzuar për shpërdorim detyre”, – sqaroi ai.
Në kuadër të hetimeve, theksoi kryepolici i vendit, policia ka siguruar 6 mijë e 917 informacione operative dhe ka nisur 104 procedime penale gjatë periudhës janar-tetor 2025. Ndërkohë, 10 mijë e 798 fara kanabisi janë sekuestruar në 16 raste të veçanta.
Proda theksoi rolin e rëndësishëm të teknologjisë në rritjen e efikasitetit të operacioneve, duke përmendur përdorimin e 76 dronëve dhe sistemin elektronik “GIS-NARKOTIK”, që ka ndihmuar në raportime më të sakta dhe në ndjekje më të shpejtë të rasteve.
Kreu i Policisë së Shtetit pohoi se partneriteti i palës shqiptare dhe autoriteteve italiane ka dhënë rezultate konkrete në monitorimin dhe asgjësimin e kultivimeve të paligjshme, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si “një nga modelet më të suksesshme në rajon”.
Sipas komandantit të Guardia di Finanza-s, Luigi Vinciguerra, grupet kriminale preferojnë të kultivojnë bimë më të vogla, ç’ka tregon për mjete të përdorura mirë.
Po ashtu, ai theksoi se preferohet të kultivohet në zona të vështira, të vendosura kryesisht në veri të Shqipërisë. Vinciguerra theksoi se ka një rënie të bimëve të shkatërruara në krahasim me vitin e kaluar.
Ndërkohë, fushata e mbikëqyrjes nga ajri për vitin 2025 të identifikimit të zonave ku kultivohet kanabisi, ka përfunduar më 31 tetor. Ajo nisi më 1 maj dhe është realizuar sipas marrëveshjes me palën shqiptare nga Guardia di Finanza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



