Gazeta Si – Lufta kundër fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit vijon të jetë objektivi kryesor për Policinë e Shtetit. Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, nga Vlora tha se kjo sfidë kërkon pak kohë dhe durim.
“Zero kultivim për këtë vit”, ishte mesazhi që përcolli edhe në këtë qark Nano, teksa kërkoi nga të gjithë angazhim e bashkëpunim “që bashkërisht ta minimizojmë deri në zhdukje këtë fenomen, që sjell veç krim dhe asnjë të mirë për shoqërinë”.
Nano theksoi se Vlora dhe disa qarqe të vendit janë zona me risk të lartë dhe të mesëm në drejtim të kultivimit të kanabisit dhe për këtë duhet me patjetër që secili të bëjë sa më mirë detyrën.
Më tej ai u shpreh se nga të gjitha institucionet e administratës publike dhe ato private, Policia e Shtetit e ka paguar më shtrenjtë nga të gjithë luftën kundër kanabisit, duke sjellë në vëmendje edhe humbjen punonjësit të policisë, Saimir Hoxha, i cili u vra teksa po kthehej pasi kishte shkatërruar një parcelë kanabisi.
Duke deklaruar se Policia e Shtetit e ka paguar më shtrenjtë luftën kundër kanabisit, ai sfidoi grupet kriminale.
“Nuk ka grupe të fuqishme, këto janë mite që i krijojnë vetë ata. Përpara policisë së shtetit dhe administratës shtetërore nuk ka grupe të forta, nuk ka të fortë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




