Gazeta Si - Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në Luftën kundër Drogave, e cila po zhvillohet në Athinë, Greqi nga datat 24-26 shtator 2024.
Në një njoftim të SPAK, gjatë këtij aktiviteti Dumani ka zhvilluar një takim shumë konstruktiv me Administratoren e DEA-s, Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve, Anne Milgram.
Gjatë këtij takimi, Milgram vlerësoi rezultatet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, me fokus të veçantë në trafikimin e narkotikëve.
"Të dy drejtuesit riafirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy agjencive dhe u angazhuan për forcimin e tij, i cili do të kulmojë me hapjen e përfaqësisë së DEA-s në Tiranë. Ky bashkëpunim është jetik për adresimin e suksesshëm të sfidave globale që lidhen me drogën dhe krimin e organizuar", - thuhet në njoftimin për mediat.
Në mars të vitit të shkuar, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, shpërndau një njoftim për mediat, ku citohet Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), e cila njofton një linjë të re sinjalizimi për vendin tonë, duke nxitur këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga, ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.