Rusia duket se është tanimë një hap para shteteve të tjera në luftën kundër pandemisë koronavirus. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka nisur fushatën e vaksinimit të popullatës, teksa zhvilluesit e “Sputnik V” menaxhojnë testimin klinik të shkallës së gjerë tek civilët.
Shkencëtarët rusë pohojnë se fushata tek qytetarët do të jetë 1-vjeçare. “Porcioni i parë i vaksinës Sputnik V i ka kaluar të gjitha testet e nevojshme të cilësisë dhe është lëshuar për qarkullim civil”, thuhet në njoftimin e Ministrisë ruse të Shëndetësisë.
Të parët që pritet të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë dhe mësuesit. Kjo erdhi pasi revista e njohur mjekësore “Lancet” publikoi një studim, me të cilin pohonte se vaksina krijon antitrupa kundër Covid-19 dhe se nuk ka efekte të rënda anësore.
Megjithatë ende ka dyshime të mëdha, pasi mendohet se shkencëtaret rusë anashkaluan disa faza të rëndësishme në arritjen e vaksinës. Qendra shtetërore kërkimore e mikrobiologjisë dhe epidemiologjisë “Gamaleya”, e cila mban autorësinë e saj, thotë se duhet të prodhohen 80 milionë doza për të arritur imunitetin e masës.
Për këtë ka kërkuar dhe ndihmën e Indisë për të rritur fuqinë prodhuese, në mënyrë që të mundësohet edhe furnizimi i shteteve të tjera. Deri më tani më shumë se 20 vende të botës kanë shprehur interesim për 1 miliard doza të vaksinës ruse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



