Gazeta Si – Kultivimi i bimëve narkotike ka qenë në fokus të një analize të përbashkët përmbyllëse për këtë vit mes Policisë së Shtetit dhe asaj italiane, ku morën pjesë zyrtare të lartë të të dyja vendeve fqinjve.
Në bilancin e vitit 2022, janë goditur 24 raste të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, në ambiente të mbyllura dhe me anë të llambave.
Për këto raste u proceduan penalisht 56 shtetas të implikuar dhe u asgjësuan 3633 bimë narkotike dhe 2318 kubikë me fidanë të kësaj bime.
Nëpërmjet statistikave dhe pamjeve filmike, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka prezantuar punën e bërë nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane, në luftën kundër kanabisit.
Policia e Shtetit, në përmbushje të Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025 dhe të Planit të Veprimit, në zbatim të saj, gjatë vitit 2022:
– ka kryer gjithsej 156.124 kontrolle dhe 345 010 orë shërbimi, duke përdorur edhe 53 dronë;
– ka marrë dhe trajtuar 7358 informacione policore për kultivimin e bimëve narkotike, ose 335 informacione më shumë se një vit më parë;
– nga rritja e bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese, janë ndjekur 162 informacione, ose 97 informacione më shumë se një vit më parë;
– ka referuar dhe ndjekur 186 procedime proaktive, me metoda speciale të hetimit, kundër kultivimit të bimëve narkotike, ose 40 procedime më shumë se një vit më parë;
– ka evidentuar 30 raste të sekuestrimit të farave të kanabisit, si rezultat i të cilave janë sekuestruar rreth 3.5 kilogramë fara të kësaj bime.
Krahasimi me një vit më parë
-Gjatë vitit 2022 janë evidentuar 548 raste të kultivimit të bimëve narkotike, nga të cilat 362 janë raste kultivimi të konstatuara dhe të goditura, dhe 186 raste të tjera janë evidentuar përmes procedimeve proaktive; janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 352 shtetas, nga të cilët 157 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar; janë gjetur dhe asgjësuar 116 212 bimë narkotike nga të cilat 40921 të konstatuara nga monitorimi ajror i GDF-së. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë së Shtetit janë evidentuar dhe asgjësuar edhe 5139 kubikë narkotikësh.
-Gjatë vitit 2021 janë evidentuar 848 raste të kultivimit të bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi të konstatuara dhe të goditura dhe 112 raste të tjera janë evidentuar përmes procedimeve proaktive; janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar; janë gjetur dhe asgjësuar 166 212 bimë narkotike dhe 20 997 kubikë narkotikësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




