Njerez

Luca Turi, fotoreporteri italian që rrëfen Shqipërinë mes luftës dhe varfërisë/ ‘ Si pensionist, kam zgjedhur të jetoj këtu’

Shqipëria i ka mundësuar  fotoreporterit nga Bari, Luca Turi, një karrierë shumë të gjatë të mbushur me zbulime ekskluzive, hetime të veçanta, rrëfime dhe imazhe që kanë bërë xhiron e botës. Një ndër këto dokumentime është dhe  zbarkimi i anijes “Vlora” në Bari me ngarkesën prej 20 mijë emigrantësh. Që nga vitet ’90 e deri më sot, ai ka dokumentuar historinë e vendit të shqiponjave , skenat më tronditëse, kryengritjet civile përtej Adriatikut, krizën e bankave dhe rrugëtimin e gjatë e të vështirë drejt demokracisë.

“Që nga dita kur vura këmbë për herë të parë në Shqipëri, kuptova menjëherë potencialin e madh që kishte ky vend. Dhe nuk gabova. Sot jo vetëm që është bërë një destinacion shumë i kërkuar turistik për italianët, por gjithashtu zgjidhet nga shumë bashkëkombas pensionistë si vendi ideal për të kaluar vitet e pleqërisë”

Një lidhje e gjatë ajo mes Luca Turit, sot 80-vjeçar, dhe Shqipërisë i cili në vitin 2018 u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia Durrës dhe në vitin 2020, u bë zyrtarisht shtetas shqiptar. Ai zotëron pasaportë të dyfishtë, kartë identiteti dhe makinë me targa shqiptare.

«Gjatë më shumë se tridhjetë viteve udhëtime, kam mësuar ta njoh dhe ta dua këtë vend, aq sa edhe unë, si pensionist, kam zgjedhur të kaloj këtu pjesën më të madhe të kohës sime. I detyrohem shumë këtij vendi, kemi ecur përpara bashkë dhe sot mund të them se është vendi i zemrës sime: i mrekullueshëm, i sigurt dhe mikpritës», rrëfen ai.

Një vend krejtësisht ndryshe nga ai që kishte parë për herë të parë më shumë se tridhjetë vite më parë.

“Në vitin 1991, disa muaj para zbarkimit të anijes “Vlora”, isha dërguar nga Associated Press në Durrës për t’i mësuar zanatin një fotografi shqiptar. Sapo zbrita në qytet, mbeta i tronditur nga varfëria dhe dëshpërimi i njerëzve. Nuk kishte ndriçim në rrugë, rrugët ishin të shkatërruara, njerëzit lypnin. Më çuan në një apartament për të kaluar natën dhe nga lavamani dilnin buburrecat. Pa menduar dy herë, vendosa të largohem menjëherë dhe po atë mbrëmje mora tragetin për t’u kthyer në Bari.

Qëndrimi im i parë në Shqipëri zgjati më pak se pesë orë, por mjaftoi për të kuptuar arsyet e atij populli të varfër që po ikte nga vendi i vet. Pak më vonë nisi eksodi i madh i shqiptarëve drejt Italisë, zbarkimet e njëpasnjëshme në brigjet e Puglias, dhe unë u riktheva për të dokumentuar për Rai-n atë që ndodhte në anën tjetër të Adriatikut. Sot, në mënyrë paradoksale, jemi dëshmitarë të një fenomeni të kundërt, pra shumë italianë që shkojnë në Shqipëri”.

Në kaq shumë vite aktivitet, do të keni një arkiv të pafund kujtimesh. A mund të na rrëfeni ndonjë në veçanti?

“Kriza e bankave ishte periudha më e vështirë për Shqipërinë. Kolapsi ekonomiko-financiar i vitit 1997 solli protesta dhe revolta në gjithë vendin. Brenda pak ditësh Shqipëria u gjend  në kaos, depot e armëve u plaçkitën dhe në rrugë qarkullonin banda kriminale të armatosura. Unë isha në Shkodër, pranë kufirit me Malin e Zi, duke dokumentuar plaçkitjen e një banke nga një grup rebelësh, kur papritur një pjesë e godinës që po sulmohej u shemb mbi ne operatorët. Përfunduam në spital, në një situatë të vështirë, pasi mungonin edhe dezinfektuesit.

Na qepën plagët dhe qeveria italiane dërgoi një avion civil për të na marrë, sepse avionët ushtarakë nuk lejoheshin të hynin në një vend të huaj. Ende më kujtohen fëmijët që luanin me armë dhe granata. Atëherë ishte shumë e vështirë të kaloje kontrollet kufitare. Të gjitha rrugët ishin plot me banda të armatosura dhe nëse qarkulloje natën, ishin gati të të qëllonin. Nga Vlora në Durrës udhëtonim me dritat e makinës të fikura që të mos binim në sy. Për të punuar, u bëmë miq me disa vendas që, kur ishte nevoja, na jepnin targa shqiptare për makinat tona. Në atë kohë, asnjë fotoreporter nuk donte të vinte në Shqipëri, ishte shumë e rrezikshme”.

Duket sikur ka kaluar një shekull që atëherë, megjithatë janë vetëm pak më shumë se njëzet vjet.

“Në fakt, sot në rrugët e Tiranës sheh makina luksoze, dyqane me markat më të famshme ndërkombëtare, lokale moderne, hotele dhe resorte luksoze të mbushura me turistë dhe investitorë. Mjafton të kthehem pas në kohë dhe ende i dëgjoj ato thirrje të dëshpëruara “Italia, Italia”, nga njerëzit që ishin gati të sfidonin vdekjen mbi një mjet të kalbur detar, vetëm për të arritur në tokën italiane”.

Burimi: Corriere Della Sera


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë