Bota

Los Anxheles, protesta dhe shtetrrethim. Trump shpërthen: Janë kafshë!

Gazeta Si – Kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, ka vendosur një shtetrrethim për disa pjesë të qendrës së Los Anxhelesit, në përgjigje të plaçkitjeve dhe dhunës gjatë protestave kundër bastisjeve të emigracionit.

Bass, përmes një postimi në platformën “X”, cilëson se kushdo që shkel shtetrrethimin do të arrestohet nga forcat e posaçme të sigurisë.

“Unë shpalla një shtetrrethim duke filluar nga sonte në orën 8 të mbrëmjes për Qendrën e Los Anxhelosit për të ndaluar aktorët e këqij që po përfitojnë nga përshkallëzimi kaotik i Presidentit. Nëse nuk jetoni ose punoni në Qendër të Los Anxhelosit, shmangni zonën. Zbatimi i ligjit do të arrestojë individët që shkelin shtetrrethimin dhe ju do të ndiqeni penalisht”, shkruan ajo.

Ka pasur një prani të madhe të forcave të rendit, teksa dhjetëra njerëz u arrestuan gjatë natës për shkelje të orës policore. Sakaq, nuk ka asnjë shenjë të trupave të Marinës Amerikane ose të Gardës Kombëtare në rrugë.

Ora policore është nga 20:00 sipas orës lokale deri në orën 06:00. Kjo vlen për të gjithë përveç banorëve, gazetarëve dhe shërbimeve të emergjencës.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, paraqiti dje, 10 qershor, një mocion emergjence në gjykatën federale për të ndaluar Gardën Kombëtare dhe Marinsat të marrin pjesë në bastisjet ndaj emigrantëve, ndërsa një gjyqtar caktoi një seancë dëgjimore për nesër.

Pavarësisht çdo gjëje, Trump nuk tërhiqet. “Nuk do të lejoj që Shtetet e Bashkuara të shkatërrohen nga emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët e Botës së Tretë”, u shpreh Trump nga baza ushtarake e Fort Bragg, duke pretenduar se “dikush” po financonte protestat.

“Ne do ta çlirojmë Los Angeles dhe do ta bëjmë atë përsëri të pastër dhe të sigurt”, shtoi ai, duke i quajtur protestuesit “kafshë”.

“Ata valëvitin flamuj të vendeve të tjera, por nuk valëvitin flamurin amerikan; ata e djegin atë”, shton më tej Trump.

Të hënën në mbrëmje, 9 qershor, pati më shumë se 100 arrestime ndërsa tre oficerë policie u plagosën nga sulmet me gurë.

Qyteti i Los Angeles, ku Trump ka dërguar 4 mijë trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marins, mund të mbetet i militarizuar për dy muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, Trump synon të dërgojë 9 mijë emigrantë në Guantanamo. Sipas administratës e Shtëpisë së Bardhë, deportimet motivohen nga nevoja për të liruar hapësirë ​​në qendrat e paraburgimit në Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë