Gazeta Si – Janë bejsboll-softbolli, kriketi, fleg futball-i (një version i futbollit amerikan me kontakt të limituar), ‘Lacrosse’ (luhet në ajër me një top sa i tenisit dhe me shkopinj të ngjashëm me të hokejit) dhe skuash-i (luhet me raketa dhe top tenisi qe përplaset në mur). Do të diskutohen në mbledhjen e radhës së CIO-s në Indi.

Pesë sporte të reja janë propozuar nga Komiteti Organizator i LA28 për përfshirjen e tyre në Lojërat Olimpike të Los Anxheles 2028, në pritje të aprovimit nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Bëhet fjalë për sporte si bejsboll-softboll-i, kriketi, fleg futboll-i, ‘lacrosse’ dhe skuashi.
Propozimi i LA28 i ka kaluar Komisionit për Programin Olimpik të CIO-s, që do ta diskutojë dhe do të formulojë një rekomandim për Komitetin Ekzekutiv të CIO-s. Nëse rekomandimi pranohet, Komiteti Ekzekutiv i CIO-s e paraqet propozimin në sesionin e 141-të të CIO-s në Mumbai, në Indi (15-17 tetor).

Nëse aprovohet, programi definitiv i eventit dhe numri i kuotave të sportistëve në këto sporte që mund të shtohen, do të përcaktohen në të ardhmen. Nga 5 sportet e propozuara, 3 janë zhvilluar më parë në Lojërat Olimpike: bejsboll-softbolli (1992-2008 dhe 2020), kriketi (1900) dhe ‘lacrosse’ (1904 dhe 1908).
‘Lacrosse’ u shfaq në edicionet e Lojërave Olimpike në fillim të shekullit të 20-të, me Kanadanë që fitoi të dyja medaljet e këtij sporti. Bejsboll-softboll-i ndërkohë u fut në programin olimpik të ‘Tokio 2020’, ku Japonia vendëse fitoi të dyja medaljet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




