Njerez

LORIK – Djaloshi që u bë kapiten dhe jetoi ëndrrën

Më 27 korrik, të vitit 1983, futbollistit i lindi një futbollist, që do ta çonte përpara ëndrrën e tij, duke u bërë kapiteni më i dashur i shqiptarëve. “Më thanë “Gim, urime! Të ka lind një futbollist!”, kështu rrëfen Agim Cana, në filmin “LORIK”, rrugëtimi kinematografik i një jete brenda dhe jashtë fushës së blertë, të djaloshit që do të lindte në Prishtinë e do të linte gjurmën e tij në disa prej ekipeve më prestigjiozë të Europës dhe do të pushtonte zemrat e atyre që e duan futbollin. Një film dokumentar, ku narrator dhe protagonist është vetë ai, Lorik Cana, i realizuar nga gazetari Andi Deçka, ndalet në stacionet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së futbollistit, tashmë me status legjende.


Nga Gjakova e fëmijërisë, prej së cilës u largua në vitin 1992, por pa i harruar rrënjët. “Kam lindur në Prishtinë, por e ndiej veten gjakovar”, thotë Cana, ndërsa duke shëtitur nëpër rrugicat, ku luante futboll si fëmijë dhe ishte tifoz i ekipit të Prishtinës, për të cilin luante i ati, me sytë e të rriturit, tashmë gjithçka i duket më e vogël.

https://www.instagram.com/p/Bq__HL8AdX6/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=embed_video_watch_again
https://video.gjirafa.com/lorik-trailer

E ëma kujton sesi qante pa bërë zë, sa herë kombëtarja do të pësonte humbje, ndërsa e motra zbulon sesi zemra i tha të luante për kombëtaren shqiptare.
“Nuk e kam pasur në plan të ndalem me në film apo me një libër”, u shpreh ish-kapiteni për të pranishmit gjatë premierës së filmit, mbrëmjen e 6 nëntorit në mjediset e hotel “Plaza”. “Por, Andi (Deçka) më tha se do të bëjmë diçka, që do të dalë mirë. Më tha “Nuk jam Tarantino, as Spielberg, por të dua shumë dhe kam qenë pranë teje, nga fillimi.” Jam i kënaqur që pranova”, vijoi Cana, ndërsa nuk u shpëtoi emocioneve dhe përlotjes, gjatë shfaqjes së filmit.

Lorik Cana, duke folur gjate premieres se dokumentarit "Lorik", prodhim i "DigitAlb" i realizuar nga autori Andi Decka, qe ka ate si personazh kryesor ne rolin e ish-kapitenin e kombetares Shqiptare te futbollit. 

Ky dokumentar rreth një orë e gjysmë, do të vijë shpejt në kinematë e Shqipërisë, Kosovës e më pas në platformën “Digital”, që edhe mundësoi realizimin e këtij filmi. Dokumentari më pas udhëton, duke ndjekur me rend kohor të gjithë hapat e Canës. Nga Gjakova e Prishtina, në Lozanë, Romë, Paris, Marsejë, Colmar, Stamboll, Shkodër e Tiranë.


 Vijnë të rrëfyera fillimet, transferimi i vështirë tek Paris Saint Germain, Sunderland, Olimpique Marseille, Galatasaray e Lazio, zgjedhja e Kombëtares Shqiptare, debutimi në Kosovë në miqësore dhe ndaj Zvicrës në një ndeshje zyrtare, në qershor të vitit 2003, sfida me Greqinë e vitit 2004 e deri te eliminatoret e fundit e Kampionati Europian…Cana hap dyert edhe në jetën private. “Është xhiruar në të gjithë vendet ku jam aktivizuar”, ka rrëfyer ish-kapiteni.


Lorikut i bashkohen rrëfimet e bashkudhëtarëve, futbollistë e trajnerë si i Djibril Cisse, Gheorghe Hagi, Pape Diouf, Fabio Celestini, Edvin Murati, Etrit Berisha, familja dhe bashkëshortja, Monica. “Një jetë reale”, e cilësoi gazetari Andi Deçka, “histori me uljet dhe ngritjet, me vështirësitë, me të cilat përballemi të gjithë”.


Loriku do jetë një nga shembujt që të bëjnë të besosh se ëndrra mund të bëhet e vërtetë, tha kryeministri Edi Rama, pas shfaqjes së filmit, ndërsa në sallë ishin edhe figura të tjera të rëndësishme të politikës si presidenti Ilir Meta dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. “Jeta e dytë e Lorikut do të jetë frymëzim për më të vegjlit. Për të qenë krenar për atë se kush janë dhe nga vijnë. Fondacioni do ta mëshirojë më së miri qasjen e Lorikut ndaj vetes, njerëzve dhe vendit. Loriku ka pasur mundësi të luajë me kombëtaren e Francës, me të Zvicrës, mund të zgjidhte dhe një kombëtare nga Lindja e Mesme. Por ai e kishte ëndërr të zgjidhte Shqipërinë. Kjo është më shumë se nga ana sportive. Jo rastësisht lidhet fanella kuqezi me interesin për historinë e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri.

Lorik Cana me të birin, ndërsa u jep tifozëve lamtumirën, pas tërheqjes nga futbolli i luajtur,

“E mbaja atë simbol”, thotë Cana, në filmin e tij “dhe ndihesha shumë krenar”. Ashtu si i ka bërë të gjithë shqiptarët, që përmes futbollit, të ndihen krenarë për kombësinë. Në fund, djaloshi që luante futboll, rrugicave të Gjakovës, bëhet kapiteni që jetoi ëndrrën, në Europianin e vitit 2016 dhe, pas tërheqjes nga fushat e blerta, një legjendë dhe shpresë për ata të vegjël që ëndërrojnë një ditë të jenë Loriku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë