Katar 2022

Lojtarët e Iranit nuk këndojnë himnin, i bashkohen kauzës së popullit

Gazeta Si – Gjest sinjifikativ i kombëtares iraniane para ndeshjes me Anglinë. Një ditë më parë kapiteni Hajsafi mbështeti hapur revoltën në vendin e tij.

Protesta e tifozeve iraniane ne stadium. Gazeta Si, 21 nentor 2022

Të heshtur, me duart mbi shpatullat e shokëve, ndërkohë që në stadium dëgjohej himni i Iranit. Lojtarët iranianë nuk kënduan në shenjë proteste ndaj regjimit. Nuk është si grushti i Tomi Smith dhe Xhon Karlos në qytetin e Meksikos, por gjithsesi do të mbetet në histori.

Lojtarët e Iranit qëndruan të palëvizshëm gjatë himnit, një sfidë e tyre ndaj regjimit, pa asnjë lloj frike. Në shkallët e stadiumit dikush po qante, ndërsa në stol vetëm një nga asistentët e Keiroz lëvizte buzët. Publiku vërshëllente për t’ia bërë të qartë ayatollahut nga cila anë është.

Protesta kishte nisur jashtë stadiumit, me tifozët iranianë që bënin homazh për Masha Amini, të renë e vrarë nga policia iraniane pas arrestimit me akuzën se nuk kishte veshur hixhabin. Një ngjarje që solli shpërthimin e protestave në gjithë vendin dhe dhunën e regjimit, duke shkaktuar mbi 400 të vdekur.

Tifozët jashtë stadiumit thirrën në kor edhe emrin e Ali Karimit, ish-lojtarit të njohur iranian që është rreshtuar në favor të revoltës.

Më shumë zhurmë shkaktuan fjalët e kapitenit Ehsan Hajsafi, i cili para ndeshjes me Anglinë u shpreh: “Ne lojtarët jemi në krahun e atyre që kanë humbur jetën. Duhet të pranojmë faktin se kushtet aktuale në Iran nuk janë të drejta dhe populli ynë nuk është i kënaqur. Dua t’u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që janë në zi, dua ta dinë se jemi me ta dhe se i mbështesim në kauzën e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë