Për të gjithë ata që kanë lindur midis viteve ‘80 dhe ‘ 90, lojërat elektronike paraqesin diçka shumë të pranishme në jetën e përditshme. Por, në veçanti, vitet e fundit ky fenomen ka marrë një rëndësi të veçantë dhe me shumë të papritura. Kohët e fundit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) njoftoi publikisht që po marrin parasysh faktin që eSports të përfshihen në programin e lojërave olimpike.
Përkundër kësaj, një pjesë e komitetit vazhdon ende të hezitojë, dhe arsyeja mund të gjendet në mënyrën sesi do ta perceptojë opinioni sportiv. Nëse KON do të vazhdojë me idenë e përfshirjes së lojërave elektronike në disiplinat tradicionale olimpike, kjo praktikë e re duhet domosdoshmërish të kthehet në një federatë, e cila nga ana tjetër do të kishte nevojë për rregulla, gjyqtarë sportivë dhe shumë gjëra të tjera që për momentin, nuk ekzistojnë, pikërisht për faktin se – deri më sot – nuk ekziston si sport. Por më e rëndësishmja, do të duhej një sistem kontrolli për dopingun (një fenomen i rrallë në botën e lojërave elektronike). Nëse konsiderojmë se në disa vende, si Kina apo Koreja e Jugut, sportet elektronike janë barazuar me disiplinat e tjera tradicionale që prej vitit 2003, është e qartë se në një shoqëri tani të ndërlidhur dhe të globalizuar, vlerat do të priren gjithnjë e më shumë të afrohen.

Ajo që sot nuk perceptohet si sport, sidoqoftë, mund të bëhet në një kohë të mëvonshme. Në të njëjtën mënyrë, edhe sportet olimpike nuk janë aspak statike, por dinamike dhe ndryshojnë vazhdimisht sipas edicioneve. Tashmë nga edicioni ardhshëm i Lojërave Olimpike në Tokio 2020, për shembull, disa disiplina që nuk kanë qenë pjesë, do të përfshihen në program, të tilla si ngjitje sportive, karate, surfing dhe skateboarding , por do të ketë dhe disiplina që rikthen, të tilla si bejsbolli dhe softballi.

Në fillimin e Lojërave Olimpike moderne kishte vetëm 9 disiplina, ndërsa në Lojërat e ardhshme në Tokio 2020 do të jenë 49 disiplina. Pastaj ka sporte të njohura dhe të praktikuara në të gjithë botën, të cilave u është mohuar “dinjiteti olimpik”. Sidoqoftë, disiplina të tilla si shahu, qitja, balona apo vozitja janë konsideruar prej kohësh sportive dhe, në disa raste, janë përfshirë në Olimpiadë. Disa nga këto disiplina, nuk perceptoheshin dikur si sporte. Ngjarjet aktuale na detyrojnë të ngremë disa pyetje në lidhje me sportet elektronike. Me pak fjalë, modeli ende duket të jetë i njëjtë: kur një fenomen përhapet dhe bëhet gjithnjë e më i rrënjosur, lind nevoja për të imponuar rregulla dhe për të krijuar protokolle dhe institucione me qëllim për ta mbikëqyrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



