Gazeta Si – Kanë përfunduar në pranga pronari dhe administratori i një lokali në Vlorë, që ishte përshtatur në një ambient për lojërat e fatit. Të ndaluarit janë 31-vjeçari me iniciale A.M. dhe 35-vjeçari me iniciale Sh.N.
Policia, pas operacionit të koduar ‘Tabs’, ka sekuestruar gjatë kontrollit 6 kompjutera që përdoreshin për këtë aktivitet të paligjshëm.
Njoftimi policisë
Vlorë/Vijojnë operacionet për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në fushën e lotarive të palejuara. Finalizohet nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Tabs”.
Përshtatën lokalin për organizimin e lojërave të fatit, vihen në pranga pronari dhe administratori i lokalit. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 6 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve në lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat mund të organizohen lotari të palejuara, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në lagjen “Isa Boletini”, organizohej kjo veprimtari e paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tabs”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A.M., 31 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”, pronari i lokalit dhe Sh. N., 35 vjeç, banues në lagjen “Pavarsia”, administrator i lokalit.
Këta shtetas dyshohen se kanë përshtatur lokalin që ndodhej në lagjen “Isa Boletini”, për organizimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, nëpërmjet 6 kompjuterave, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës material. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




