Në Qafë të Predelecit u mbajt manifestimi tradicional “Logu i Bjeshkëve”. Ky është festivali më unik, ku këngët e bukura të traditës, vallet e trashëguara ndër breza, folklori i pasur, etnografia madhështore dhe ritualet e lashta lidhin pjesëmarrësit thellësisht me rrënjët.
Është traditë tashmë që prej “Logut të Bjeshkëve” të zgjidhet vajza më e bukur. Për bukuroshën e Bjeshkëve garuan 12 vajza nga Kelmendi, andej e këndej kufirit. Juria zgjodhi “Miss Bjeshka 2024”, Liljana Lashaj nga Selca. Në këtë konkurim morën pjesë edhe 3 vajza nga Vuthajt e Kelmendit.
Çmimet e tjera shkuan për vajzat: Anxhelika Sterkaj – Zana e Maleve, Mary Camaj – Xhubleta më e bukur, Monika Ulaj – Shtojzovallja e Bjeshkëve, Mikejla Nonaj – Kërcimtarja e Logut, ndërsa vajza Nexhmije Dedushaj është zgjedhur për të konkuruar në “Miss Universe Albania”.
“Logu i Bjeshkëve” konsiderohet prej malësorëve si një rikthim tek rrënjët.
Në këtë manifestim, protagonist ishte xhubleta, veshja karakteristike e grave shqiptare, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ajo u shpalos në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional “Logu i Bjeshkëve”.
Ky kostum dhe dijebërja e tij ka udhëtuar gjatë në kohë, duke dëshmuar gjurmët e qytetërimit ilir, në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin atë në mënyra të ndryshme në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbolika që na sjellin mesazhe të cilat ende dhe sot, një pjese të tyre nuk u është dhënë shpjegim. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.