Lajme

Lleshaj: Më shumë fuqi prefektit, do rrisim numrin e komisariatave

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë prezantimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020”, për Ministrinë e Brendshme u shpreh se për vitin e ardhshëm synohet fuqizimi i rolit dhe kompetencave të Prefektit.
Ministri Lleshaj tha se do të ndërhyhet dhe në ligjin “Për Prefektin” në mënyrë që roli i Prefektit të vijë duke u rritur.
“Qeveria vlerëson se Prefekti, si institucion duhet të njohë një fuqizim të rolit të tij, në aspektin e marrëdhënies me njësinë e qeverisjes vendore, me bashkitë, në aspektin e planifikimit të nevojave të këtyre bashkive për pushtetin qendror, në aspektin e auditimit të këtyre njësive të pushtetit vendor. Po ashtu, Prefektura do të ketë një rol të rëndësishëm sa i përket koordinimit të degëve territoriale të pushtetit qendror, që janë vendosur në qark dhe në prefekturë. Prefekti do të vijë përditë e më shumë duke marrë një rol të qeverisë në nivel vendor, ashtu siç e përcakton ligji,” u shpreh Lleshaj.
Ministri tha se në vitin 2020, Garda e Republikës duhet të shtohet me 27 persona, ashtu sikurse edhe SHÇBA me 31 persona, ndërkohë që janë bërë disa zvogëlime për disa struktura të tjera, të cilat janë larguar nga fusha e përgjegjësisë e Ministrisë së Brendshme siç ka qenë Komisioni për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave.
Po ashtu u shpreh se do të shtohet numri i komisariateve në Tiranë dhe Kamëz.

Ardi Veliu te Komisioni i Sigurisë: Kemi goditur 34 grupe kriminale

Ndërkohë, në Komisionin e Sigurisë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi se nga janari deri në tetor të këtij viti janë goditur 34 grupe kriminale, nga 35 raste që janë referuar.
“Janë goditur 34 grupe kriminale, 22 me aktivitet në fushën e narkotikëve, 6 krimet ekonomike dhe 6 në trafiqet e paligjshme. Gjithsej janë referuar 35 raste të referuara për grup kriminal. Marrëveshje me FBI-në për informacione kundër terrorizmit, por edhe FRONTEX”, tha ai.

Në krahasim me vitin e kaluar, Veliu tha se deri në tetor të këtij viti kemi 4 vrasje më shumë, ndërsa problem është edhe rritja e rasteve të krimeve seksuale dhe dhunës në familje.
“Janë regjistruar 29 mijë vepra penale të evidentuara, janë zbuluar 24 mijë. Janë kryer 91 hetime pasurore. Janë evidentuar 49 vrasje nga 45 në vitin e shkuar. Është rritur numri i krimeve seksuale, 131 raste këtë vit nga 88 vitin e shkuar. Vijon shqetësim dhuna në familje, mbi 1 mijë vepra për këtë periudhë të këtij viti. Mbi 900 të mitur të dëmtuar nga veprat penale”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë