Lajme

Llalla pajton lobistë amerikanë për t’i shpëtuar “listës së zezë” së SHBA

 Ish-kryeprokurori shqiptar Adriatik Llalla ka nënshkruar kontratë me një kompani avokatie në SHBA për të kundërshtuar vendosjen e emrit në listën e zezë të departamentit Amerikan të Shtetit.

Lajmi është publikuar nga rrjeti investigative “BIRN”, i cili ka pyetur ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme për këtë aksion ligjor, por ai nuk ka dhënë asnjë koment.

Avokati i pajtuar nga Llalla mësohet se ka nisur një proces me gjykatat amerikane me objekt “Shfuqizimin e vendimit të Departamentit të Shtetit i datës 14 shkurt 2018, për të listuar Adriatik Llallën dhe familjen e tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara”.

Kjo çështje është edhe objekt i kontratës së nënshkruar nga Llalla me juristin amerikan Michael Gibaldi. Ky i fundit është i diplomuar nga Universiteti Pensilvanisë dhe i Harvardit me specializim në çështje penale, administrative si dhe gjyqet tregtare komplekse. Drejtuesi i studios ligjore është Michael Tremonte, ish-prokuror dhe avokat me përvojë.

Në datën 4 mars, studioja ligjore Sher Tremonte – e përfaqësuar nga dy juristët Gibaldi dhe Tremonte është regjistruar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA si kompani lobimi për ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla.

Shuma totale që ka paguar Llalla dhe kompania “Lita Brothers Construction” për aktivitetet e lobimit mbetet e paqartë.

Përveç Llallës, “Birn” u përpoq të komunikojë edhe me lobistët, por ata nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion të bërë me postë elektronike.

Një vit më parë, Llalla u shpall i padëshiruar nga Departamenti i Shtetit, me motivacionin e përfshirjes domethënëse në korrupsion. Përveç Llallës, në formular listohet si financues i aktiviteteve të lobimit në një vlerë më të madhe se 5 mijë USD  edhe një kompani nga Nju Xhersi, e quajtur ‘Lita Brothers Construction’ – në pronësi të familjarëve të nënkryetarit të bashkisë së Kamzës, Korab Lita. Shpallja e tij “non grata” u bë pas një përplasje të fortë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Gjatë drejtimit të prokurorisë Llalla u akuzua për punë të dobët në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërkohë që Donald Lu e akuzoi si pengues e kundërshtar të reformës në drejtësi.

Vitin e kaluar ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për vendosjen e Llallës në listën e zezë të zyrtarëve që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.

Në kohën që Adriatik Llalla bën përpjekje nëpërmjet lobistëve në SHBA për të hequr emrin nga lista e zezë e Departamentit të Shtetit, ai po hetohet në Shqipëri nën dyshimin se është përfshirë në një skemë pastrimi parash.

Në korrik 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë sekuestroi pronat e ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë. Vetë Llalla, i ka kundërshtruar akuzat, duke u deklaruar i pafajshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë