Nga Gazeta Si – Qyteti anglez i Liverpulit u konfirmua mikpritës i Eurovision Song Contest për vitin e ardhshëm.
Shfaqja muzikore ndërkombëtare do të zhvillohet në BM pasi fituesja e këtij viti, Ukraina, u konsiderua e paaftë për ta organizuar për shkak të pushtimit rus.
Qyteti u përball me Glazgoun në balotazhin përfundimtar, pasi një listë prej 20 kandidatësh u zvogëlua nga BBC dhe Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU).Njoftimi u bë nga Graham Norton, i cili drejton mbulimin e BBC, në spektaklin “The One Show”.
Vendi pritës i edicionit të ardhshëm duhet të ishte Ukraina, pas fitores së edicionit të fundit nga grupi ukrainas “Kalush Orchestra”.
Por në korrik, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon konkursin, tha se kushtet e sigurisë për të mbajtur Eurovizionin në territorin ukrainas mungonin, për shkak të pushtimit të Rusisë dhe luftës së vazhdueshme.
Prandaj, në vend të Ukrainës u zgjodh Mbretëria e Bashkuar, pasi këngëtari britanik Sam Ryder doli në vendin e dytë në edicionin e kaluar.
Qyteteve aplikante iu kërkua të demonstronin se si do të pasqyronin kulturën, muzikën dhe komunitetet ukrainase, nëse do të organizonin spektaklin në emër të Ukrainës.
Kjo do të jetë hera e nëntë që Britania e Madhe do të organizojë konkursin, më shumë se çdo vend tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.