Një muaj pas seancës së fundit më 18 nëntor, në Hagë u mbajt sot seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kreu i Partisë Demokratike, ish-kryetarit i Kuvendit të Kosovës, dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Vetëvendosje, po mbahen prej një muaj e dy javësh në dhomat e paraburgimit.
Pala mbrojtëse e ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, ka kërkuar sencën e kaluar lirimin me kusht të dy ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, kërkesë që Hagai iu përgjigj ditën e sotme.
Prokurorja Speciale ka thënë se tashmë i ka kthyer përgjigje ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi, duke thënë kërkesën që ai të lirohet përkohësisht është refuzuar.
“Sa i takon kërkesës për mocionet për lirim të përkohshëm, prokuroria është kundër këtyre kërkesave, dhe fuqimisht ne e kemi parashtruar dje përgjigjen tonë sa i përket Thaçit”, ka thënë ajo.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, David Hooper ka deklaruar se ka kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij duke theksuar se nuk do e pranojë burgosjen e Thaçit.
Hooper ka kërkuar që gjykimi kundër ish-presidentit të nisë në vitin 2022.
“Afati 18 mujor është thjesht minimumi që ne parashikojmë për të filluar që të shikojmë nëse do të kemi ekipin dhe aspektet e nevojshme për t’u bërë hetimet për t’u përgatitur për procesin gjyqësor kjo mund të fillojë në verën e vitit 2022. Kur po e dëgjon atë (prokurorin) nga këtu ku jam në Londër po mendoja a vërtetë mund të ndodhë kjo gjë në gjyq, mendoj se kjo është diçka e pakonceptueshme. Këto fjalë të prokurorisë janë zhgënjyese. Do të duhen të paktën 18 muaj”, ka thënë ai.
Në fillim të kësaj seance, gjykatësi Nicolas Guillou ka kërkuar që palët të tregojnë nëse ka ndonjë parregullsi në lidhje me provat e nxjerra nga prokuroria. Kjo ka shkaktuar replika ndërmjet prokurores së Speciales dhe avokatit të Thaçit, i cili paraprakisht i kishte paraqitur disa vërejtje.
Prokurorja e Gjykatës Speciale tha se Prokuroria deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale kundër të akuzuarve.
“Prokuroria ka hasur në probleme teknike dhe kanë të bëjnë me sistemin, për momentin po punohet për rregullimin e problemeve teknike. Mbrojtja e Thaçit ka evidentuar dy pika të tjera , pika e parë ka të bëjë me llojin e materialit dhe e dyta lidhur me burimin e materialit”, tha prokurorja. “Ne jemi të gatshëm të japin sqarime edhe pse theksojmë se përshkrimet janë të qarta. Prokuroria ka thënë qarë se çdo barrë që do t’i jepej mbrojtjes apo Prokurorisë do të shkaktonte vonesa në dorëzimin e materialeve”, shtoi ajo.
Avokati Hooper u përgjigj duke thenë se është e rëndësishme që të jepen detaje dhe informacione për akuzat.
“Dorëzimi i provave duhet të jetë i organizuar, i kuptueshëm. Të jetë koha, vendi i krimit të gjitha argumente bazë. Ata kanë bërë hetime për një kohë të gjatë dhe duket sikur kanë marrë vendimin strategjik për të mos plotësuar detyrimet e tyre. Por kjo do të na shtojë shumë punën tonë”, tha më tej ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



