Protesta e tetë kombëtare e opozitës së bashkuar shkoi me skenar të ngjashëm si edhe në protestat e kaluara. Ishte vetë lideri demokrat që pas Kryeministrisë i ka drejtuara protestuesit drejt godinës së Parlamentit. Ndërkohë, policia i ka paraprirë këtij skenari, pasi edhe atje ndodheshin efektivë të shumtë. Protestuesit hodhën shashka, tymuese dhe kapsolla ndaj forcave të policisë, ndërsa policia hodhi ujë dhe gaz lotsjellës. Meta kërkoi që protesta te Parlamenti të ndalojë dhe qytetarët të shpërndahen. Pas tensionit dhe dhunës te Parlamenti, Basha i mblodhi protestuesit në selinë e PD-së.
Në fjalën e tij te Kryeministria, Basha përshëndeti vendimin e presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve se nuk duhet të ndërmarrin akte dhune, pasi ato i shërbejnë vetëm Edi Ramës.
Në nisje të protestës, të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, kanë improvizuar një qeli përpara selisë së Kryeministrisë, ku ndodhet i “burgosur” kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Kryedemokrati Basha herën e kaluar pati deklaruar se në protestën e sotme fjalën do e ketë populli.
Policia nga ana e saj ka marrë masat për mbarëvajtjen e protestës.
Para institucioneve janë vendosur gardhe metalike si edhe kamera me rezolucion të lartë, për fiksimin e atyre që kryejnë akte dhune. Mbi 1600 policë janë angazhuar në në këtë protestë.
Në gatishmëri janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe autobotet me ujë.
Ndërkohë, simpatizantët e protestës janë nisur nga rrethet për të marrë pjesë në protestë. Sipas Partisë Demokratike, mbi 70 mijë persona po vijnë nga rrethet për të protestuar, duke mos përmendur këtu protestuesit nga qarku i Tiranës, zona më e populluar në vend.
Audiopërgjimet e publikuara nga “Bild” pritet të jenë lajtmotivi i protestës së të shtunës nga opozita. Kryedemokrati Lulzim Basha një ditë më parë bëri thirrje për një pjesëmarrja masive në protestë, duke iu referuar në deklaratën e tij edhe publikimit të fundit të gjermanes “Bild”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









