Kryeministri Edi Rama njoftoi se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i kishte ofruar atij dorëheqjen fill pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha, por ajo ishte shtyrë prej kreut të Qeverisë.
“Ministri Sandër Lleshaj më ka njoftuar dhe ka dhënë dorëheqjen e tij dhe i kam thënë të më pres sa të kthehem se doja ta shihja dhe të bisedoja me të sy më sy. Sot ta mësojnë të gjithë ata se në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj, as politikanët. Ai nuk ka asnjë lidhe me aktin e police por është vrarë një djalë dhe është hapur një varrë dhe një plagë në shpirtin e shqiptarëve”, tha Rama.
Kryeministri përçoi përmes rrjeteve sociale një mesazh rreth 20 minuta. Ai renditi një sërë protestash të organizuara kundër vendimeve dhe Qeverisë së tij dhe sjelljen e policisë së shtetit përballë, sipas tij, “dhunës së protestuesve”.
Rama shënjestroi Metën dhe Bashën, të cilët i vlerësoi si personat e fundit që duhet të komentojnë dhe akuzojnë për vdekjen e 25-vjeçarit Rasha,.
“Presidenti i Republikës është i parafundit që duhet të hapë kamarën e gojës për sjelljen e policisë së shtetit. Kurrë nuk e ka thënë një fjalë të vërtetë solidariteti, por se është një prej shembujve më të këqij për sjelljen shtetërore dhe institucionale. I fundit që duhet të japë është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Është ndotësi numër 2 i policisë së shtetit, me baltën. Është ministri i Brendshëm i masakrës së 21 janarit”, u shpreh ai.
“Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, gjendja e rendit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, sjellja e policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Por sigurisht që si çdo pyll me derra, edhe policia e shtetit ka të padenjat e saj”, vijoi Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



