Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian do të kenë një sy brenda strukturave që do të merren me organizimin dhe shpërndarjen e fondeve të grumbulluara nga Konferenca e Donatorëve për rindërtimin pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
SHBA premtoi ndihmë teknike.
“Kënaqësi që të shohim organizim për transparencën. Ne do të ofrojmë ndihmë teknike për t’u siguruar që donacionet e vendeve të ndryshme, përfshirë edhe tonat do të shpenzohen atje ku duhet në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
BE premtoi një angazhim më të drejtpërdrejtë duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së palës shqiptare për të marrë pjesë në mënyrë të përhershme në Komitetin e Rindërtimit.
“Fakti që shkohet përtej rindërtimit në vetvete, e bën rolin e BE edhe më të rëndësishëm për shkak se jeni në rrugën drejt integrimit. Ne e ndjejmë që kemi një detyrim për të ndihmuar dhe për të këshilluar. Për ta bërë këtë ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë proces, edhe me skuadrën që do ta drejtojë këtë program, që të sigurohemi që të gjitha përpjekjet e bëra do të shpaguhen dhe të gjitha proceset do të bëhen në mënyrë llogaridhënëse dhe transparente”, tha ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
Deklaratat e dy ambasadorëve u bënë gjatë mbledhjës së pestë të Komitetit të Rindërtimit, që u thirr këtë të mërkurë nga Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit kërkoi hartimin e raporteve periodike të shpeshta në lidhje me shpenzimet e fondeve, për të garantuar, sipas tij, transparencë maksimale.
“Një raport të bëhet një në 2-3 javë, një herë në muaj dhe të bëhet një analizë e shpenzimeve në momentin kur të nisin shpenzimet. Raporti të jetë në anglisht dhe në shqip dhe të shpërndahet në faqen e internetit për rindërtimin, për qytetarët për të parë vetë planet me sytë e tyre, tipologjitë e ndryshme të shtëpive e shkollave që do të ndërtohen”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



