Kosova

Thaçi jep dorëheqjen: Do gjykohem për krime lufte!

“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim”. Më këtë fjali, Hashim Thaçi njoftoi sot dorëheqjen nga posti i presidentit, duke konfirmuar lajmin që i druheshin të gjithë, Gjykata e Hagës ka konfirmuar sot akuzën edhe ndaj tij për krime lufte.

Disa mund të thonë se dukej krenar, për të tjerë dukej i frikësuar. Ajo që është e sigurt është se pas më shumë se 20 vitesh, Thaçi po i thotë lamtumirë dhe jo mirupafshim jetës në politikë.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent zyrtarisht që gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara kan konfirmuar aktakuzën ndaj meje”, tha Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Do të dalim faqebardhë”.

Ai tha se jep dorëheqje nga posti i presidentit, pasi që nuk do që të përballet me drejtësinë, duke qenë në krye të shtetit të Kosovës.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, aktakuza ndja tij dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “është çmim i vogël, i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.

Në fund të adresimit të tij, ai tha se beson që nga ky proces i përballjes me drejtësinë “do të dalim faqebardhë”.

Presidenti në ikje nuk tha nëse do të udhëtote drejt Hagës, por në korrik, Thaçi është marrë në pyetje nga prokurorët e kësaj Gjykate për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës.

 “Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por, e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai më 16 korrik pas daljes nga prokuroria në Hagë.

“Nuk kemi më shumë heronj për të sakrifikuar”, ishte një prej pankartave që disa qytetarë mbajtën në protestën para Dhomave të Specializuara në Hagë në kohën kur Thaçi merrej në pyetje.

Kur mediat bënë publike akuzat për krime lufte ndaj tij, Thaçi premtoi publikisht se do të dorëhiqej nëse Haga konfirmonte aktakuzën. Dorëheqje nga politika sot ka dhënë edhe zot Veseli, i cili ka njoftuar se do të udhëtojë vetë drejt Hagës.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje. Presidenti ka qenë njëra figurat kyçe jo vetëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare , por edhe të jetës politike të Kosovës.

Pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale, ndaj Thaçit, Veselit dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara, Qeveria e Kosovës tha përmes një reagimi, se beson në luftën e drejtë të UÇK-së.

“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”, thuhet në reagim.

Për çfarë akuzohet Thaçi?

Ndërkohë që Thaçi po nisej drejt një samiti në Shtëpinë e Bardhë, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Madje në atë kohë Haga do të deklaronte domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është kopje e sistemit gjyqësor të Kosovës në miniaturë, në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Europës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Vjosa Osmani presidente?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës është Vjosa Osmani. Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Kosova është ballafaquar me dorëheqjen e presidentit edhe në vitin 2010, kur Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konstatimit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ai e “ka shkelur seriozisht Kushtetutën”, me faktin se ka mbajtur dy poste, atë të presidentit të Kosovës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë