Në një ceremoni “live”, në kryeministri u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së për ndërtimin e HEC-it të Skavicës nga kompania e njohur amerikane Bechtel.
Në konferencën për shtyp, në prani të zv/ Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, Kryeministri Rama tha se, ndërtimi i Skavicës nga SHBA është një investim me rëndësi për vendin duke e kthyer atë në faktor për rajonin në prodhimin e energjisë.
“Ky investim do të përmirësojë ndjeshëm bilancin shqiptar dhe do të bëjë realizmin e HEC-it të Skavicës një ëndërr 50-vjeçare. Një Hec që do e bëjë Shqipërinë një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë. Memorandumi po ashtu do të nxisë SHBA të hedhë hapin e parë duke mbështetur vetë si në teknologji dhe financim në ndërtimin e Skavicës në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë të ndjekin këtë shembull.
Ky hap do të ketë një impakt të madh mbi kompani të tjera evropiane apo përtej saj nga vendet mike, ne e kemi të përcaktuar vijën tonë. Për ne paraja që vjen për t’u investuar në Shqipëri, nuk është një para që vjen njësoj si kur vjen nga një vend mik sikur vjen nga vende që nuk hyjnë në miqtë tanë të preferuar dhe nuk janë aleat strategjik, në këtë rast ne jemi të kujdesshëm. Paratë e vendet mike jemi të kujdesshëm që të përkthehet në rritje ekonomike, punësim dhe zhvillim”, tha Rama.
Memorandumi, sipas tij, ofron një udhërrëfyes në sektorë strategjik.
“Është nder të jem këtu, zoti Rama ju jeni vërtet një lider, jam i lumtur që po e çojmë partneritetin më tej, në emër të presidentit Trump ju falenderoj ju dhe popullin shqiptar për mikpritjen dhe miqësinë tuaj, gjithashtu i urojmë shërim të shpejtë të prekurve nga covid dhe ngushëllime atyre që humbën të afërmit nga kjo pandemi.
Mbështetja juaj e hapur për rrjetin 5G, një shembull i fuqishëm. Shqipëria është bashkuar me valën e pastër 5G. Rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, do krijohen vende të reja pune. Skavica projekt historik, do të sjellë energji të pastër në Shqipëri”, tha zv/ Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.