Nga Gazeta ‘SI’ – Lista e kandidatëve konkurrues për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 sjell një ndryshim të dukshëm krahasuar me garat e mëparshme. Në të shihen për herë të parë figura që nuk janë vetëm nga administrata publike apo politika, por edhe nga sektori privat, akademia dhe drejtësia, duke krijuar një mozaik profesional që mund të pasuroi vendimmarrjen e këtij institucioni.
Tre anëtarët aktualë, Artan Hoxha, Luljeta Minxhozi dhe Violeta Staka, kandidojnë për një mandat të dytë. Njohuria e tyre e brendshme dhe përvoja e mandateve të mëparshme sigurojnë vazhdimësinë dhe stabilitetin, ndërsa profesionistët e rinj sjellin perspektiva të reja. Elton Korbi, me një karrierë të gjatë në menaxhimin e fondeve të pensionit dhe investimeve, dhe Erjona Bejleri, ish-zëvendësministre e Financave me eksperiencë në sektorin bankar privat, ofrojnë një kombinim të praktikës dhe politikave financiare. Eni Xheko, menaxhere e një hoteli privat, mund të sjell njohuri të menaxhimit dhe praktikës së biznesit, duke shtuar një dimension të veçantë pragmatizmi në vendimmarrje.
Akademikët si Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, dhe Matilda Shehu, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, sjellin analizë të thelluar dhe perspektiva strategjike, që nuk ishin përfaqësuar fuqishëm në listat e mëparshme. Për herë të parë, vendimmarrja e Këshillit duket se do të pasqyrojë një kombinim të balancuar mes teorisë, praktikës dhe ligjit, duke krijuar një institucion më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm.
Një tjetër ndryshim i dukshëm është prezenca e profesionistëve nga drejtësia dhe strukturat anti-korrupsion. Holta Zaçaj, ish-anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dhe Liljana Mamadhaj nga SPAK kanë ekspertizë ligjore dhe njohuri mbi etikën institucionale. Për publikun, kjo mund të duket pak e pazakontë – kundrejt një tabuje të dikurshme kur kandidatët ishin kryeoisht akademikë dhe nga bota e financave. Tani që SPAK dhe Gjykata janë bërë kryefjala e publikut një ish-gjyqtare apo përfaqësuese të SPAK-ut apo dhe një pronare hoteli tingëllojnë pak çuditshëm duke krijuar ndjesi se disa kandidatë mund të kenë garanci të fshehta, edhe pse ligjërisht procesi është i hapur dhe meritokraci. Tabuja që shoqëron figurat e drejtësisë dhe menaxherët privat por dhe vetë historikun e Këshillit Mbikqyrës shton këtë ndjesi dyshimi.
Krahasuar me listat e vitit 2022 dhe 2023, ndryshimi më i dukshëm është diversiteti i profileve. Lista e vitit 2022 përbëhej kryesisht nga profesionistë me përvojë në administratë publike dhe politikë, si Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli, të cilët u zgjodhën për të mbajtur vendet vakante. Përveç tyre, kandidatë si Emis Çerava, Diana Dervishi dhe Altin Hoti vinin nga administrata publike, ekonomia dhe financat, ndërsa një pjesë e vogël ishte me eksperiencë akademike. Përqendrimi kryesor ishte te përvoja në qeverisje dhe njohuritë financiare.Ndërsa më parë dominonin figurat e administratës dhe politikës, tani kemi një kombinim ku secila përvojë ka rëndësi: privatët sjellin praktikë dhe menaxhim të riskut, drejtësia siguron etikë dhe pëpruthje më të plotë me ligjin , akademikët ofrojnë analizë dhe strategji, ndërsa anëtarët aktualë garantojnë vazhdimësinë dhe njohuritë e brendshme të Këshillit.
Megjithë dyshimet e mundshme apo tabutë e disa figurave, larmia dhe eksperiencat që sjellin këta kandidatë është një vlerë për Bankën e Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës nuk drejton përditshmërinë e bankave, por vendos politika strategjike dhe kontrollon riskun; për këtë arsye, kombinimi i profileve praktike, ligjore dhe akademike mund të përforcojë stabilitetin dhe besueshmërinë e vendimeve. Në fund, kjo listë duket se ka bërë një hap të rëndësishëm drejt profesionalizmit, diversitetit dhe vendimmarrjes të balancuar, duke rritur kapacitetin e Këshillit për të mbikëqyrur me efikasitet sistemin bankar shqiptar. Mirë do të ishtë kështu për tu parë si model edhe në grehina të tjera të shtetit shqiptar… por koha do ta tregojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




