Drejtësia

Lirohet pas 4 vjetësh nga burgu ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka

Gazeta Si – Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili mbahej në burg për rreth 4 vjet lidhur me çështjen e inceneratorëve, ka fituar lirinë, pasi i kishte kaluar afati i paraburgimit.

Në korrik të këtij viti, Koka u lirua me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku kishte marrë një dënim prej 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, për inceneratorin e Fierit ai është dënuar në shkallë të parë me 6.8 vite, dhe për atë të Tiranës me 2 vite burg.

Në rastin e Tiranës, masa e sigurisë “arrest në burg” është shuar pasi koha e paraburgimit e ka ezauruar plotësisht dënimin.

Sipas SPAK, për inceneratorin e Fierit janë paguar 4 milionë euro për punime që nuk janë kryer, ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit vlerësohet në 60 milionë lekë.

GJKKO ka shuar gjithashtu edhe masën e sigurisë për këtë çështje, teksa dosja është kthyer për rigjykim në Apelin e Posaçëm, pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ish-ministri Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021, me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash lidhur me kontratat e inceneratorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë