Drejtësia

Lirohet polici Jeton Lami, njeriu i fundit që shoqëroi Ervis Martinajn para zhdukjes

Gazeta Si – Ish-oficeri i policisë Jeton Lami, ka lënë qelinë të dielën e shkuar, pasi ka përfunduar dënimin, ku akuzohej për shpërdorim detyre, pasi shoqëronte Ervis Martinajn ndërsa ky i fundit ishte në kërkim.

Lami u dënua vetëm për “shpërdorim detyre” me 2 vite e 10 muaj burg dhe e fitoi lirinë, pasi pjesën më të madhe të dënimit e shlyu me kohën e paraburgimit.

Polici u arrestua më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Teksa po hetohej për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt më 9 gusht, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar nga agjenti i forcave operacionale në Policinë e Shtetit.

Gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të dosjes, Jeton Lami asnjëherë nuk pranoi akuzën e prokurorisë apo qoftë të flasë lidhur me fatin e zhdukjes së Ervis Martinajt mes zonës së Vorës dhe Shijakut.

Lami ka pohuar se gjatë kohës kur transportonte Ervis Martinajn, nuk ka pasur dijeni se biznesmeni i lojërave të fatit, ishte shpallur në kërkim me vendim gjykate.

Jeton Lami ishte personi dhe polici i fundit që natën e zhdukjes të 6 gushtit, transportoi me një “Audi” Ervis Martinajn nga Tiranë në Vorë në një hotel i shoqëruar nga një vajzë.

Më pas, Martinaj është larguar nën shoqërinë e një automjeti tjetër në zonën e Shijakut dhe pikërisht në këtë zonë humbin të gjitha gjurmët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë