Gazeta Si – Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm gjatë mandatit të parë qeverisës “Rama 1”, njëherësh dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, është liruar nga burgu.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Matilda Fetahu, e cila pranoi kërkesën e Saimir Tahirit për vuajtjen e dënimit të mbetur në kushte shtëpiake.
Sipas këtij vendimi, pjesën e mbetur të dënimit prej 1 vit e 8 muaj burg, ai do ta shlyejë në shtëpinë e tij në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë. Ai po ashtu mund të largohet nga banesa për nevoja të domosdoshme familjare, por vetëm pasi Shërbimi i Provës të jetë dakord.
Ndërsa pjesa tjetër e dënimit prej 1 vit e 4 muaj është vuajtur nga Tahiri gjatë qëndrimit në burgun 313, në burgun e Fierit, në Rrogozhinë dhe së fundi në burgun e Bradasheshit në Elbasan.
Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.
Në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët.
Tahiri iu nënshtrua procesit gjyqësor, ku për disa vite me radhë çështja kundër tij, kaloi nga njëra gjykatë në tjetrën dhe ende aktualisht ndodhet në Gjykatën e Lartë në pritje për t’u gjykuar.
Përballja do të vijojë në Gjykatën e Lartë, ku ish-zyrtari i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, duke kërkuar deklarimin e tij të pafajshëm.
Por njëherësh dhe prokuroria ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që Tahiri të mos dënohet vetëm për “Shpërdorim detyre”, por për favorizim të trafikut drogës drejt Italisë të një grupi kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.
Në 4 shkurt 2022, GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për “shpërdorim të detyrës”, por me gjykim të shkurtuar dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj burgim.
Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre”, duke i shpëtuar akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Ish ministri i Brendshëm, u vu nën hetim në vitin 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me një grup kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike nga Shqipëria drejt Italisë përmes detit.
Sipas Apelit të Posaçëm, si Ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri ka lejuar me ndërgjegje që vëllezërit Habilaj të përdorin lidhjet ndër personale me të si kredenciale dhe ka lejuar me ndërgjegje të marrë edhe përfitime të padrejta për shkak të detyrës, së ushtruar në mënyrë abuzive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.