Lajme

Lirohet ish-trajneri i kombëtares së femrave, Armir Grimaj

Ish-trajneri i kombëtares së femrave në futboll, Armir Grima është liruar nga qelia. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendosur t’i caktojë ish-futbollistit të njohur shkodran masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Mbrojta e Grimajt, i cili u arrestua në fund të shtatorit të vitit të kaluar gjatë aksionit policor që goditi bandën “Bajri”, ka apeluar në shkallën e dytë masën e sigurimit “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Apeli vendosi lirimin nga qelia të 44-vjeçarit, duke zbutur masën e sigurimit personal në “arrest shtëpiak”. Grimaj akuzohet për trukim ndeshjesh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Armir Grimaj është zbuluar rastësisht nga përgjimet telefonike. Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas sinjalizimeve të ardhura nga autoritetet belge dhe holandeze, kishte vënë nën përgjim Safet Bajrin që prej gjashtë muajsh.

Gjatë përgjimeve telefonike të Safet Bajrit, në vëmendje të hetuesve ka ardhur një telefonatë e pazakontë e tij në drejtim të Armir Grimajt, asokohe trajner. Bëhej fjalë për një ndeshje mes Vllaznisë B dhe Tërbunit, ku kërkohej ndërhyrja e Grimajt për një rezultat të paracaktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë