Lajme

Lirohet burri i ministres Besa Shahini, u arrestua në Kosovë

Deputetin e Partisë Socialdemokrate në Kosovë, Dardan Molliqaj dhe Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit nuk i lidh më asgjë bashkë. Por, aktivizimi i tij në të shkuarën me VV e ka “përndjekur”. Policia e Kosovës arrestoi në orët e para të së hënës deputetin e Parlamentit të Kosovës, ndërsa u lirua disa orë më pas.

Si arsyetim i arrestimit është përdorur pjesëmarrja në protestën e vitit 2015, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje për lirimin e Albin Kurtit. Partia Socialdemokrate, forcë e formuar një vit më parë me të pakënaqurit që u shkëputën nga Vetëvendosje ka reaguar përmes rrjeteve sociale. PSD thotë se arrestimi i Albin Kurtit në atë kohë ka qenë i padrejtë, çka legjitimonte protestën e asaj kohe.

“Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në reagim e PSD-së.

Kjo forcë politike, që drejtohet nga Shpend Ahmeti kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt. Veç aktivizimit të hershëm në politikën kosovare, Dardan Molliqaj njihet së fundmi në Shqipëri edhe si bashkëshorti i ministres së Arsimit, Besa Shahini. Të dy ata u martuan vetëm pak javë më parë në një ceremoni private.

Për rastësi, arrestimi i Molliqajt ka mbërritur pak ditë pas vizitës së ministres shqiptare të Arsimit në Bujanoc, ku u takua me homologun serb, Mladen Sarçeviç.

“Me ministrin Sarçevië diskutuam problematikën e mungesës së librave shkollorë në gjuhën shqipe në Serbi. Ofruam libra shkollorë të sistemit parauniversitar në Shqipëri, të ndryshuara sipas kurrikulës së re, libra të tjerë për bibliotekat shkollore, si dhe ekspertizë kurrikulare – ofertë e cila u pranua në parim. Tani duhet të detajojmë realizimin teknik të planit për arsim cilësor në gjuhën shqipe për shqiptarët në Serbi”, shkruan Shahini në rrjetet sociale për takimin me ministrin serb të Arsimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë