Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi dje të lirojë masat kufizuese në vend, duke nisur nga sot, duke zgjatur orën e lejuar policore, nga 20:00, në 22:00.
Në këtë mënyrë, zgjatet me dy orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve, ndërkohë që protokolli i masave anti-Covid për qytetarët, me mbajtjen e detyrueshme të maskës, nuk do të ndryshojë.
Ndërkohë, Komiteti i Ekspertëve, duke analizuar situatën e ditëve të fundit, ka vendosur rihapjen nga sot të fluturimeve me Britaninë e Madhe.
Ky vendim, vjen për shkak të përmirësimit të situatës në shtetin ishullor, që ka qenë shembull edhe në procesin e vaksinimit të popullsisë.
Manastirliu u shpreh se në lirimin e masave, janë marrë parasysh disa faktorë, duke filluar nga ulja e numrit të të infektuarve dhe fataliteteve, fluksit në spitale, por edhe muajin e Ramazanit, që nis në 13 prill.
“Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme me një tendencë në rënie të incidencës, por edhe sa i përket përqindjes në dy javët e fundit, ka qenë me 12%, edhe në shtrimet në spitale ka rënie. Spitali COVID-4 nuk ka të shtruar në 4 ditët e fundit, por është në gatishmëri. Në vlerësim të situatës të 6 javëve të fundit, duke vlerësuar të gjithë indikatorët nga komiteti, është vendosur: të zgjatet ora e lejuar, nga 20:00, në 22:00 nga data e nesërme; zgjatet me 2 orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve, – u shpreh ministrja Manastirliu. – Duke marrë në konsideratë përmirësimin në Britani, që ka pasur ecuri në vaksinimin, Komiteti ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Britaninë. Qëndrueshmëria e situatës së epidemisë, ka qenë motivi kryesor i këtyre ndryshimeve. Kemi pasur edhe një arsye tjetër që na ka motivuar, lehtësimi i agjërimit për besimtarët myslimanë në muajin e shenjtë të Ramzanit”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.