Lajme

Liria e medias, Basha akuzon qeverinë: Rama: Rrahësit e gazetarëve!

Kreu i Partisë Demokratike dhe kryeministri Rama kanë replikuar në rrjetet sociale në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Kryedemokrati, përmes një statusi në “Facebook”, ka akuzuar shefin e qeverisë, se gjatë qeverisjes së tij u përkeqësua ndjeshëm liria e medias në vend.

“Gazetarët pa liri janë si një vend pa zgjedhje të lira”, shkruan Basha, teksa shton se gendja e përkeqësuar e lirisë së medias gjatë qeverisjes së Edi Ramës reflekton gjendjen e vërtetë të demokracisë në Shqipëri.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2384195664964934

“Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët shqiptarë janë më pak të lirë, më të pasigurtë, më të censuruar, me fare pak të drejta sociale dhe ekonomike, ndërsa shumë prej pronarëve të televizioneve, gazetave, portaleve janë më të pasur me tendera, licensa dhe favore të tjera qeveritare”, vijon kryedemokrati.

E menjëhershme ka qenë përgjigjia e Ramës pas statusit të Bashës. Po përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë shkruan se po flasin ata që deri dje i rrihnin gazetarët.

“Ç’komedi e zymtë me djegësit, rrahësit e shantazhuesit e deridjeshëm të gazetave, gazetarëve e mediave që flasin në emër të lirisë së tyre!

Po shyqyr ka gjykatës për të gjithë dhe për të gjithë sa bëhen e thuhen, vjen dita e gjykimit ME VOTE. Pa merak vonon po s’harron 2021-shi”, shkruan Rama.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë një mesazh në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Përmes rrjeteve sociale, selia diplomatike apelon për reflektim nga të gjithë.

“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shërben si një kujtesë për qeveritë dhe politikanët që të bëjnë punën e tyre për të forcuar lirinë e fjalës.

Është gjithashtu edhe një ditë reflektimi për profesionistët në media mbi çështjet e lirisë së shtypit, etikës profesionale dhe integritetit”,- shkruan Ambasada.

Më tej në reagimin e saj në Facebook, Ambasada thekson se në këtë ditë duhet reflektuar për të mbështetur mediat dhe gazetarët, të cilët shpesh kanë rënë pre e dhunës, censurës dhe kërcënimeve.

“Në të njëjtën kohë, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë për të mbështetur mediat dhe gazetarët që janë shënjestra të censurës, kërcënimeve dhe dhunës”,- përfundon reagimin e saj Ambasada Amerikane.

Shqipëria renditet në vendin e 82-të në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë