Ka ndodhur

Lihet në burg Tina Pajollari, dyshohet si bashkëpunëtore në vrasjen e Martin Çeços

Gazeta Si – Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Tina Pajollarin, 18-vjeçaren e cila akuzohet si e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços në Kolanec të Maliqit.

Para togave të zeza ajo ka mohuar gjithçka lidhur me dyshimin për bashkëpunim në vrasje. Ajo është shprehur në seancë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, madje ka pohuar se gjithçka që ka thënë para grupit të hetimit e ka bërë nën presionin e policisë.

Hetuesit besojnë se Martina Pajollari, e cila u arrestua më 14 tetor ishte e pranishme në momentin kur Martin Çeço u ekzekutua nga Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo.

Po ashtu, policia dyshon që ajo të ketë qenë e pranishme edhe në momentin kur është thurur plani dhe mund ta ketë nxjerrë në pritë Çeçon pranë rezervuarit të Kolanecit, aty ku edhe u inskenua si një vetëvrasje.

Pas arrestimit të 18-vjeçares, babai i viktimës tha se djali i tij e kishte kërkuar për nuse Tina Pajollarin dhe për këtë arsye kishte paguar 2.5 milionë lekë të vjetra tek ish-kunati i saj, Xhoni Potka

Pajollari dyshohet se ka qenë e lidhur me viktimën por se kishte edhe një raport të dyfishtë me Valter Mollajn, i cili është autori kryesor i vrasjes.

Tre të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë dhunuar e më pas hedhur trupin e pajetë të martin Çeços në rezervuarin e Kolanecit në Maliq.

Ata ndodhen në burg dhe janë në pritje të nisjes së gjyqit të akuzuar për vrasje në bashkëpunim.

Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18 vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26 vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij.

Pas njoftimit, Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë.

Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja, e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38-vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo.

Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.

38-vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë