Drejtuesi i ambulancës që aksidentoi për vdekje një 10-vjeçar gjatë radhëve të gjata të krijuara javën e kaluar në doganën e Kakavijës u la në burg.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Admir Golemin, që dyshohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Tragjedia ndodhi paraditen e së shtunës. Autoambulanca po udhëtonte nga Kakavija në drejtim të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës kur aksidentoi të miturin në afërsi të kryqëzimit të rrugës që të çon për në fshatin Bularat.
Sipas njoftimeve fillestare u tha se ambulanca ishte duke transportuar një shtetase drejt Spitalit të Gjirokastrës, pretendim që u hodh poshtë nga prindërit dhe dëshmitarët e tjerë në vendin e ngjarjes, të cilët thanë se mjeti ishte bosh dhe se po kthehej pasi kishte transportuar një pacient në drejtim të Kakavijës për në spitalet e Greqisë.
Në seancën gjyqësore, Admir Golemi tha se fëmijë i kishte prerë menjëherë rrugën. Por, në vlerësimin e prokurorisë, pavarësisht kësaj ai ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara pa pasur urgjencë. Sipas prokurorisë, Golemi duhej të udhëtonte me shpejtësi të kufizuar atë ditë në rrugë, duke njohur faktin se aty ishin të bllokuar mijëra qytetarë që prisnin në radhë për të kaluar kufirin me Greqinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




