Rend dhe Ligj

Lihet në burg ekstremisti që ndaloi vajzat të ndjekin shkollën. Avokati: Ngjarja u hiperbolizua

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 37-vjeçarin Roland Kryemadhi, i cili u arrestua pak ditë më parë pasi terrorizoi zonën e Kamzës si dhe kërcënoi e kundërshtoi punonjësit e policisë për ta arrestuar.

Avokati mbrojtës mohoi faktin që Kryemadhi me prirje ekstremiste të ketë patur armë. Avokati thotë se ngjarja është hiperbolizuar. “Fillimisht është thënë që ky person kishte armë, kishte kërcënuar dhe terrorizuar qytetin. Por, pas kontrollit, atij nuk i është gjetur asnjë armë. Ndaj policia gjyqësore ka hiperbolizuar ngjarjen. Është e vërtetë që ky ka kundërshtuar në gjykatë, por në kushtet e një varfërie ekstreme. Gjykata kërkoi caktimin e masës “arrest me burg”, duke e akuzuar për kanosje, fyerje, apo mbajtje e armëve të ftohta. Atij i është gjetur një thikë, që është normale për çdo familje shqiptare. Ne kërkojmë një masë më të butë ndaj tij, një arrest shtëpie, apo detyrim paraqitje, pasi nuk është person me rrezik. Nuk kishte akuzë konkrete lidhur me shkollimin e fëmijëve”, tha avokati i Kryemadhit.

Kryemadhi nuk lejonte tre vajzat e tij të shkonin në shkollë, me argumentin se fëmijët e tij i shkollonte Allahu, ndërsa për arrestimin e tij u angazhuan edhe forcat RENEA, të cilat i rrethuan banesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë