Gazeta Si - Gazeta Si - GJKKO ka lënë në burg 6 të prangosurit në kuadër të megaoperacionit “Flakë deti”. Bëhet fjalë për 4 shtatas shqiptarë dhe dy nga Ukraina: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjashtë trafikantë, mes tyre 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas, kanë rënë në pranga të Policisë nga një operacion ndërkombëtar antidrogë, i zhvilluar dy net më parë në qarkun e Lezhës, në det të hapur (Adriatik), rreth 18 milje larg Lagunës së Patokut.
Policia goditi trafikantët e drogës, të cilët po bënin shkëmbimin e lëndës narkotike, të kokainës me kanabis, në mes të detit Adriatik
Në makinën e ish-policit Arlind Ismailukaj, policia tha se janë gjetur 10 mijë euro. Dy ukrainasit, të cilët udhëtonin me velierën me drogë, ishin nisur nga Mali i Zi.
Ata i vunë flakën velierës dhe tentuan të ikin me një varkë shpëtimi, por u arrestuan. Në det policia gjeti 28 kg kanabis pranë vendit ku u fundos veliera e djegur.
Gomonia u pikas nga forcat policore teksa lundronte me shpejtësi drejt velierës “Niula”. Kjo e fundit kishte flamur të huaj dhe ishte futur pa leje në ujërat e territorit shqiptar, në afërsi të Kepit të Rodonit.
Në velierë ndodheshin dy shtetasit ukrainas, ndërsa në gomonen, e cila u ndoq nga policia ishin 4 shqiptarët.
Baza e grupit kriminal ishte në Fushë-Kuqe të Kurbinit. Ky operacion është kryer nga autoritetet policore të vendit në bashkëpunim me ‘Guarda di Finanza’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.