Menaxhim

Ligjvënësit në botë po ashpërsojnë mbikëqyrjen e kriptomonedhave

Gazeta Si – Rregullatorët anembanë globit po bëhen më seriozë në lidhje me kriptot këtë vit, pasi shqetësimet po rriten për ndikimin mjedisor të kripto-minierave dhe përdorimin e aseteve digjitale për aktivitete të paligjshme.

Qeveritë po përballen me balancimin e nevojës për më shumë mbikëqyrje dhe mbrojtje të investitorëve me dëshirën e tyre për të fituar para në industrinë në zhvillim.

Në Rusi, Vladimir Putin ka treguar se ai mbështet një plan për të taksuar dhe rregulluar minierat e kriptove, në vend që t’i ndalojë atë siç u propozua nga banka e tij qendrore.

Ligjvënësit kryesorë demokratë në SHBA, e cila është bërë qendra më e madhe e minierave të Bitcoin pas ndalimit të Kinës vitin e kaluar, kanë mbajtur seanca dëgjimore dhe kanë kërkuar nga kompanitë e minierave detaje mbi përdorimin e tyre të energjisë dhe emetimet e gazrave serrë.

Shtete të tilla si Britania e Madhe dhe Spanja po ndërmarrin hapa për të shtrënguar rregullat rreth reklamave mashtruese të kriptove, me një mbikëqyrës britanik që propozon të kufizojë marketingun e industrisë tek investitorët e pasur dhe me përvojë.

Rregullatori financiar i Singaporit u tha kompanive të kriptove që të përmbahen nga reklamimi i shërbimeve të tyre për publikun.

Ndërkohë, rregullatorët në Estoni dhe SHBA po përpiqen të godasin atë që një zyrtar amerikan i quajti “malet” e mashtrimit në hapësirën e aseteve digjitale, pasi ata shohin se monedhat përdoren për evazion fiskal, pastrim parash dhe madje edhe financim terrorizmi.

Burimi: Bloomberg/ Përshtati Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë