Nga Gisela Troplini – Në prag të sezonit veror, bizneset pranë bregdetit, po i mbyt një problem i ri.
Një akt i miratuar në fillim të këtij viti, detyron çdo subjekt turistik të instalojë impiante të ujërave të zeza, në të kundërt do të përballet me gjobë apo heqje licence. Pak ditë nga nisja e sezonit xhamat e bizneseve, janë zënë me një pullë të kuqe: “Ky subjekt nuk trajton ujërat e zeza”.
Ligji i pakonsultuar dhe kontrollet në terren kanë nervozuar pronarët e jugut të cilët po bëhen gati ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.
Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorvëve Turistikë të Jugut, pohon për Gazetasi.al se të gjitha shoqatat janë bërë bashkë për ta dërguar aktin normativ në Gjykatën Kushtetuese me qëllim shfuqizimin.
Bedinaj argumenton se nuk ka nevojë për impiante të ujërave të zeza, kur ato janë të lidhur me sistemin shtetëror të kanalizimeve.
“Sektori i hotelerisë nuk zë më shumë se 7% të volumit të përgjithshëm të ujërave të zeza. Nëse Vlora shkon 300% në sezonin e vet, 7% i hoteleve nuk bën asnjë dallim. Nuk është detyra jonë të ulim ngarkesën e ujërave të zeza”, shprehet Bedinaj duke theksuar se impiantet duhet të instalohen nga hotelet që nuk janë të lidhur me sistemin dhe bëjnë shkarkimin në gropat septike.
Ai tregon se ligji has dhe ngërçe në terren që nuk janë të parashikuara.
“Në Radhimë nuk ka ujëra të bardha. Mua më duhet të instaloj impiantin mbi 90 mijë euro, t’i pastroj ujërat dhe pastaj t’i hedh prap në ujëra të zeza. Po një pallat në Vlorë që është gjysmë hotel e gjysmë për banim, si klasifikohet? Ndërtesa funksionon bashkë si strukturë” sqaron përfaqësuesi i bizneseve.
Bedinaj thotë se ligji i ri është i dështuar dhe se do t’i kushtojë shumë bizneseve. Ai lobon për një rritje të tarifave të përpunimit për të gjithë subjektet hoteliere pranë detit.
Kjo është zgjidhja e duhur edhe për Arben Çipën, kreun e Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, që thotë për Gazetasi.al se të gjithë janë të gatshëm të paguajnë më shumë.
Çipa thotë se subjektet që ndodhen në bregdet dhe kanë akses në kanalin e ujërave të zeza, janë padrejtësisht subjekt i Task-Forcës.
“Ne na është bërë rutinë që vjen kushdo me një pullë me një ngjyrë dhe e vendos. Fillimisht duhet të merret leje ku të vendoset se është pronë private. Skemi pse e marrim të mirëqenë çdo punonjës të administratës me një pullë me ngjyra e të vijë, kështu mbushen xhamat me pulla. Në botën e avancuar nuk funksionon kështu” thotë Çipa teksa liston tre pikat kryesore pse bizneset janë kundër këtij vendimi.
Duke ripërmendur të njëjtat ngërçe, kreu i shoqatës së Sarandës shton se një tjetër pengesë është edhe afati i përcaktuar i ekzekutimit të ligjit.
“Është periudhë kritike tani, nuk lejohet të vendosesh një gozhdë momentalisht për shkak të vendimit për ndalimin e punimeve gjatë sezonit veror, ndërsa me këtë na duhet të bëjmë gërmime në mes të qytetit”, shpjegon Çipa duke rikujtuar se ligji është rrugës për në Gjykatën Kushtetuese.
Për qeverinë, arsyeja e këtij ligji është numri i madh i vizitorëve me të cilët përballen strukturat akomoduese në Shqipëri.
“Nëse ka biznese të cilat janë me gropa septike, janë ndërtuar për 10 dhoma dhe sot presin më shumë turistë, sigurisht do ketë një impiant që do të trajtojë ujërat që derdhen në kolektor. Flitet sot për kapacitete të shtuara. Në gjithë ulërsirën perëndimore, pavarësisht kolektorëve ka një volum të shtuar të ujërave të ndotura që hidhen në kolektor, por edhe në det. Janë të detyruar t’i vendosin ato me gropa septike që nuk e përballojnë dot më fluksin dhe janë të lidhur me ujërat larës që derdhen në lumenj dhe liqene”, u shpreh zv.kryeministrja Belinda Balluku një muaj më parë nga Kuvendi.
Pretendimet për kosto të larta, Balluku tha se nuk qëndrojnë pasi qeveria e ka diskutuar këtë politikë me grupet e interesit të cilët kanë rënë dakord për domosdoshmërinë e këtij investimi.
Pak ditë më parë, ministrja e Turizmi, Mirela Kumbaro njoftoi se nga gjysma e qershorit deri në përfundim të sezonit, nuk do të lejohet asnjë lloj punimi në zonat afër pushuesve, për t’a bërë qëndrimin në Shqipëri sa më të këndshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.