Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend nismën ligjore për ndryshime në ligjin për Komisionet Hetimore. Deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj tha se ishte e nevojshme të rishikohej ligji, sipas saj, me praktikat më të mira ligjore.
“Gjatë ditës së sotme në emër të grupit të PS kam depozituar në Kuvend nismën për disa shtesa dhe ndryshime për funksionimin e Komisioneve Hetimore. Ky është produkt i një pune disa mujore, që në krye të herës është folur nga të gjithë anëtaret e Kuvendit, përfaqësues të opozitës apo mazhorancës. Nga të dy përfaqësuesit qoftë të mazhorancës qoftë të pakicës në përfundimet e raporteve për komisionin hetimor të inceneratorëve përfaqësuesit kanë kërkuar rishikimin e ligjit. I bëmë thirrje opozitës për rishikimin e ligjit për komisionet hetimore, por thirrja jonë ra në vesh të shurdhet sepse opozita ka mbetur të ai produkti i një anshëm pune. Jemi kujdesur që të analizojmë të gjitha praktika më të mira ligjore, të vendeve të rajonit dhe BE-së dhe jo vetëm sa i takon komisioneve hetimore. Ligji për komisionet hetimore është marrë për model ligji gjerman. Ligji gjerman nuk është marrë i plotë. Ka pasur mangësi të dukshme” tha Felaj.
Më tej ajo shtoi: “Është njohur e drejta e ngritjes së Komisioneve Hetimore si e drejtë e opozitës, por nuk është një e drejtë e pakufizuar. ¼ e deputetëve të Kuvendit kanë të drejtë të propozojnë ngritjen e një komisioni hetimor. Ligji i vitit 2002 ka qenë ligji që ka detajuar këtë kërkesë për të drejtat e pakicës. Kam kërkuar që anëtarët e opozitës të mund të përfaqësoheshin në komisionin Ad-hock. Unë i kam ndjekur me vëmendje edhe qëndrimet e anëtarëve të opozitës dhe nuk më rezulton që dikush aty të ketë dashur që të ulemi në një tryezë punë dhe të punojmë me një tryezë të përbashkët. Koha nuk pret. Këtë duhet ta diskutojmë me të trija nisma, një e Tabakut dhe ajo e Spahos. Puna e komisioneve hetimore ka dalë jashtë kornizave të Kushtetutës së Shqipëri. Ne duam të bëjmë një ndarje të qartë që mos të zëvendësojmë punën e prokurorisë dhe të Gjykatës”.
Ngritja e Komisioneve Hetimore ka sjellë një situatë kaosi në Kuvend. Deputetët e Bardhit dhe ata të Berishës, prej kohësh kanë bojkotuar seancat plenare duke mos lejuar zhvillimin normal të tyre, me argumentin se mazhoranca nuk pranon kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.