Lajme

Ligji, në Shqipëri do të ketë burgje private. Vetëm një telefonatë për të burgosurit “VIP”

Në Shqipëri do të ndërtohen burgjet private dhe në të do të jenë të burgosurit që janë dënuar për krime të lehta, deri në pesë vite. Qeveria ka miratuar në mbledhjen më të fundit projektligjin “Të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” duke parashikuar ngritjen e qendrave private të izolimit.
Këshilli i Ministrave sipas këtij drafti do të përcaktojë rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale. Në burgjet private mund të vendosen të dënuarit për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim. Nuk do të vendosen në këto institucione të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë. Ndërkohë neni 17 i është dedikuar funksionimit të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale i sigurisë së lartë ku të dënuarit u vihen kufizime të të drejtave të tyre në rastet dhe sipas kritereve të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj.
Gjithashtu është përcaktuar se dërgimi i të burgosurve në burgjet private është kompetencë e ministrit të Drejtësisë. Urdhri i ministrit përcaktohet vetëm në rastet e: gjendjes së jashtëzakonshme, të shpallur me ligj; situatës emergjente; gjendjes së luftës; gjendjes së emergjencës, në përputhje me legjislacionin për emergjencat civile; rreziqeve potenciale për jetën dhe shëndetin e të paraburgosurit e të dënuarve; sulmeve të armatosura nga jashtë institucionit, apo referimit të informacionit për kryerjen e sulmeve të mundshme.

Burgje në Shqipër. Gazeta Si 24 tetor 2019


Burgjet në Shqipëri, të njohura ndryshe si Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ose seksione brenda tyre, mbi bazën e sigurisë, kategorizohen, si më poshtë vijon: Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë; Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme; Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët dhe Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të hapura.
Në nenin 44 të draftit është parashikuar edhe punësimi i të burgosurve. Të dënuarit apo dhe të paraburgosurit punësohen nga administrata e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale ose nga persona juridikë privatë, brenda ose jashtë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale. Ndalohet punësimi jashtë institucionit i të dënuarve që janë vendosur në institucionet e sigurisë së lartë. Punësimi jashtë institucionit i të dënuarve mund të lejohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me propozimin e drejtorit të institucionit në rastet kur nuk cenohen nevojat e sigurisë dhe e lejon vlerësimi i rrezikshmërisë të të dënuarit. Punësimi i të paraburgosurve jashtë institucionit mund të lejohet vetëm me vendim të prokurorit. Në çdo rast, dalja jashtë institucionit dhe kryerja e punës bëhen gjithmonë të shoqëruar nga personeli i institucionit dhe të ruajtur nga Policia e Burgjeve.
Burgu i sigurisë së lartë, ja kush vendoset. Telefonat nën përgjim
Regjimi i posaçëm zbatohet edhe ndaj të dënuarve ose të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale. Në raste të veçanta, mund të zbatohet një regjim i posaçëm i ushtrimit të të drejtave për të dënuarit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë dhe të paraburgosurit që hetohen apo gjykohen për veprat penale të parashikuara në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste ose për vepra me qëllime terroriste. Kohëzgjatja e qëndrimit mund të jetë një vit, por edhe mund të zgjatet. Përcaktimi i kësaj kategorie vendoset me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Policë burgjesh. Gazeta Si, 24


Ndërsa kjo kategori lejohet të takohen me familjarët në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, lejohet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë. Për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët lejohet vetëm me miratimin e prokurorit. Parashikimet e kësaj shkronje nuk zbatohen për takimet me avokatët mbrojtës. Ndërsa është vendosur që kjo kategori të ketë vetëm një herë në muaj biseda telefonike, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila regjistrohet. Kryerja e bisedave telefonike për personat e dënuar autorizohet me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kurse, për personat e paraburgosur, ajo autorizohet me vendim të arsyetuar të prokurorit. Kësaj kategori iu ndalohet përdorimi i vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë, si dhe parashikohet reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë