Lajme

Ligji, jo më policë burgjesh mbi 35 vjeç. Fatura e lartë për uniformat e pagat

Në Shqipëri nuk do të ketë më pranime në policinë e burgjeve mbi moshën 35 vjeç. Ky kriter që mund të cilësohet edhe si diskriminues është përcaktuar në projektligjin e ri të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë në Parlament “Për Policinë e Burgjeve”. Në këtë draft të siguruar nga Gazeta SI përcaktohet edhe kriteri i pranimit të punonjësve të rinj të burgjeve.
“Procedurat aktuale dhe situata në të cilën ndodhen punonjësit e Policisë së Burgjeve ka sjellë vështirësi në rekrutimin e punonjësve cilësorë dhe prezencën e një numri të konsiderueshëm të punonjësve me moshë mbi 55 vjeç, gjë që sjell vështirësi në kryerjen e detyrave që kanë lodhje fizike. Numri i punonjësve të Policisë së Burgjeve mbi 50 vjeç është 24.7%”, thuhet në relacionin e siguruar nga Gazeta “Si”.

Faksimile e proektligjit "Për policinë e burgjeve". Gazeta Si, 18 tetor 2019


Neni 56 të draftit parashikon që punonjësit e Policisë së Burgjeve, që gjenden në pagesë kalimtare dhe që plotësojnë kushtet e kriteret për të vazhduar karrierën policore, nëse janë liruar nga detyra për shkak të riorganizimit, në çdo rast kanë përparësi për t’u rikthyer në shërbim. Përparësi kanë dhe ata punonjës që kanë përvojë pune në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura.
Në këtë draft parashikohet ulje të numrit të punonjësve që lirohen dhe përfitojnë pagë kalimtare. Nga një analizë e ndikimeve ekonomike si kosto në buxhetin e shtetit dhe si përfitim, konkludohet se përfitimet në buxhetin e shtetit janë më të mëdha. Këto përfitime nuk lidhen vetëm me anën ekonomike si përfitime në buxhetin e shtetit, por dhe si përfitime sociale. Aktualisht numri i të larguarve nga puna është i lartë, ku ka një rotacion të vazhdueshëm të punonjësve. Me ndërmarrjen e një nisme ligjore, do të bëhej e mundur që të ulej numri i punonjësve që lirohen dhe përfitojnë pagë kalimtare.

Uniformat
Aktualisht numri total i punonjësve të policisë së burgjeve është 3550, nga të cilët 230 janë punonjës të rolit të mesëm. Në këtë ligj parashikohet edhe pajisja me uniformat e reja për policët e burgjeve. Sipas llogaritjeve në relacion uniforma e një punonjësi, të rolit të mesëm kushton 65000 lekë dhe për 230 punonjës kostoja llogaritet në 14.950.000 lekë. Uniforma e një punonjësi të rolit bazë kushton 60000 lekë dhe për 3220 punonjës kostoja shkon 193.200.000 lekë. Totali i kostove, sipas relacionit të siguruar nga Gazeta Si vetëm për uniforma shkon në 223.100.000 lekë.

Policë burgjesh, foto e publikuar nga Ministria e Drejtësisë. Gazeta Si, 18 tetor 2019


Kostoja e trajnimit bazë për një punonjës është 780 lekë/ditë, kjo sipas shpenzimit të kryer për trajtimin me ushqim ditor, në ambientet e akademisë së policisë, pjesa tjetër është si akomodimi, etj janë mbuluar tek institucioni i akademisë së policisë së shtetit. Në total kosto trajnimi, llogariten rreth 15.000.000 lekë (katering, mjete mësimore, udhëtime, dieta, etj) Me hartimin e një projektligji të ri kosto në tërësi do të ishte më e lartë nga ana ekonomike, por në raport me përfitimet që do të sjellë është më e ulët.
Kostoja totale
Ky projektligj që pritet të shqyrtohet dhe të miratohet më pas nga Parlamenti ka një kosto jo të vogël financiare. Sipas relacionit efektet financiare shtesë të këtij projektligji llogariten në total rreth 305.6 milionë lekë të cilat konsistojnë në: pagën e gradës rreth 136.5 milionë lekë, shtesën për vjetërsi rreth 49.1 milionë lekë dhe shtesën për kushte pune rreth 119,9 milionë lekë. Këto efekte shtesë do të shtrihen në të tria vitet e buxheteve 2020-2022, sipas përcaktimeve të nenit 59, të projektligjit. Kështu është parashikuar se rritja e pagës për gradë do të fillojë me hyrjen në fuqi të ligjit; shtesa për vjetërsi pune do të fillojë efektet më 1 janar 2021 dhe shtesa për natyrë të veçantë pune do të fillojë efektet më 1 janar 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë