Njerez

Ligji i ri: Çfarë i pret emigrantët shqiptarë në Francë?

Parlamenti i Francës ka miratuar zyrtarisht një ligj të ri për azilkërkuesit dhe emigrantët,  pavarësisht kundërshtimeve të pothuajse të gjitha partive të tjera politike. Qeveria e Emmanuel Macron ka shkurtuar afatet e aplikimit për azil, por ka dyfishuar kohën për të cilën mund të ndalohen emigrantët e paligjshëm. Ndër të tjera, Macron ka imponuar edhe dënim me një vit burg për këdo që hyn në mënyrë të paligjshme në Francë.

Partia qeverisëse e Presidentit Macron thotë se ligji do të përshpejtojë procesin e kërkimit të azilit, por figurat e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se masat e marra shkojnë shumë larg. Ligji kaloi me 100 vota pro dhe 25 kundër, pas shumë orësh debati.  Sipas rregullave të reja, tanimë refugjatët nuk do të qëndrojnë 120 ditë në pritje, ndërkohë që qeveria franceze përpunon kërkesat e tyre për azil, por 90 ditë.  Ligji i  ri u jep gjithashtu vetëm gjashtë muaj kohë ( dhe jo 11 muaj) të gjithë emigrantëve për të bërë kërkesë për azil, duke lehtësuar si dëbimin e atyre që refuzohen ashtu dhe pranimin e atyre që u aprovohet azili. Por Macron ka pretenduar se refugjatëve që do t’u aprovohet azili do t'u jepet ndihmë më e madhe për integrimin dhe mësimin e gjuhës frënge.

Çfarë i pret emigrantët shqiptarë në Francë?

Franca u “bombardua” nga një rekord prej 100,000 aplikimesh për azil, vitin e kaluar, edhe pse prirja e përgjithshme e azilkërkuesve në Europë u përgjysmua. Dhjetëra mijëra emigrantë të paligjshëm punojnë aktualisht nëpër restorante, fabrika dhe në zona ndërtimi, përfshirë këtu edhe shumë shqiptarë. Shumë prej tyre përfundojnë duke fjetur në rrugët e Parisit për shkak të mungesës së akomodimit, ose duke qëndruar në kampin e Calaisit, me shpresën se do të hyjnë me kamionë në Britani.

Refugjatët shqiptarë ishin grupi më i madh i vetëm i azikërkuesve gjatë vitit të kaluar, pavarësisht se Shqipëria është shpallur si një vend i "i sigurt", origjine. Pascal Brice, kreu i agjencisë franceze për mbrojtjen e refugjatëve tha se numri i aplikantëve ishte rritur me 6.5 për qind në vitin 2016 dhe 17 për qind gjatë vitit 2017. Sipas tij kjo konfirmon se Franca është një nga vendet me numrin më të madh të kërkesave për azil në Evropë. Brice theksoi se shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të aplikantëve  për azil në Francë, duke paraqitur gjithsej 7,630 kërkesa.  Sidoqoftë, shkalla e pranimit ishte vetëm 6.5 për qind dhe shumica e qytetarëve shqiptarë, sipas ligjit të ri, do të përballen me dëbim dhe burg.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të ligjit të ri është se emigrantëve që nuk do t’u jepet azili mund të mbahen deri në 90 ditë në paraburgim, pothuajse dyfishin e periudhës ekzistuese.

Kundërshtarët u ankuan në parlament duke thënë  se emigrantët po trajtoheshin si kriminelë. Fëmijët mund të mbahen gjithashtu në paraburgim së bashku me familjet e tyre, edhe pse zyrtarët ranë dakord të ngrenë një grup pune për të shqyrtuar çështjen. Në vitin 2017, më shumë se 270 të mitur u mbajtën në qendrat administrative të paraburgimit, dukë bërë që shumë aktivistë ta konsideronin këtë politikë, si një praktikë “barbare". Afatet për parashtrimin e kërkesave për azil ose apelimin kundër refuzimit të tyre kanë ngritur gjithashtu shqetësime. Emigrantët,  përfshirë edhe ata nga Shqipëria, do të kenë 90 ditë kohë për të paraqitur aplikimin (jo 120 ditë) dhe dy javë për të apeluar kundër refuzimit.

Sipas ligjit të ri, Franca mund të burgosë edhe emigrantët e paligjshëm të kapur me letra të rreme me deri në pesë vjet, dhe me një vit burg ata që hynë në mënyrë të paligjshme në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë