Nga Gazeta ‘SI’ – Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, gjatë një workshop-i për ndryshimet klimatike, theksoi se edhe sektori financiar ka një rol të rëndësishëm në këtë “luftë” globale.
Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se bankat, së pari duhet të përfshijnë rreziqet e ndryshimit të klimës në analizat e ekspozimit të sektorit financiar, duke e konsideruar stabilitetin financiar ai parakusht për tranzicionin e gjelbër.
Gjatë workshop-it me temë “Navigimi i Rreziqeve të Ndërlidhura: Ndikimet e Degradimit Mjedisor dhe Ndryshimeve Klimatike”, u prezantua drafti i parë i udhëzimit për administrimin e rrezikut të lidhur me ndryshimet e klimës dhe mjedisit, në sektorin bankar.
Gjatë dy sesioneve të tjera u trajtuan çështje që lidhen me plotësimin e kërkesave të Agjendës 2030 si dhe ato të integrimit evropian, të tilla si hartimi i Taxonomisë dhe modelimi i matjes së ndikimit në sistemin financiar nga humbja e natyrës dhe biodiversitetit, duke përfshirë diskutime teknike mbi mënyrën se si FinTech mund të përdoret për integrimin e ESG-së. Në këtë sesion u prezantuan edhe studime mbi raste specifike të ndikimit të ndryshimit klimatik në prodhimin e hidroenergjetikës.
Workshopi u përmbyll duke theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes aktive dhe koordinimit të gjithë aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë në adresimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.
Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe përkthimit të njohurive për t’i bërë ato të përdorshme nga të gjithë, në mënyrë që të orientojmë energjitë drejt zgjidhjeve më kreative dhe efiçente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.