Bota

Liderët e G7 mblidhen në Itali, i pranishëm edhe Zelensky

Nga Gazeta 'Si' - Sot liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7)  do të mblidhen për samitin treditor që do të zhvillohet në Pulia, në Italinë jugore.

Diplomatët e 7 vendeve kanë rënë dakord që t'i japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar të vendit.

Detajet e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre, ndërsa shteti ukrainas pritet që t’i marrë fondet në fund të këtij viti. Sidoqoftë, zyrtarët pranojnë se plani është kompleks, që do të thotë se çdo marrëveshje do të jetë vetëm në parim, me ekspertët ligjorë që ende duhet të diskutojnë detajet që do të kenë nevojë për mbështetjen e kombeve evropiane, veçanërisht Belgjikës, e cila nuk është në G7.

Në këtë samit i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili do të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe sigurie me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Duke nënshkruar këtë, ne gjithashtu do t’i dërgojmë Rusisë një sinjal të vendosmërisë sonë. Nëse Presidenti rus, Vladimir Putin mendon se mund t’i rezistojë koalicionit që mbështet Ukrainën, ai e ka gabim,” u tha gazetarëve këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Vendet e G7-ës ku përfshihen Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë fondet ruse me një vlerë rreth 300 miliardë dollarësh, vetëm pak kohë pasi Moska nisi luftën ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë